Për herë të parë dy qeveritë, ajo e kryeministrit Edi Rama dhe e homologes italiane Giorgia Meloni do të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët më 13 nëntor në Romë.
Në prag të kësaj mbledhjeje, qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje për bashkëpunim strategjik me qeverinë italiane, në të paktën 10 fusha, që nga shëndetësia, energjia e mjedisi, deri te industria e sigurisë apo rritja inteligjente.
Disa marrëveshje që përfshijnë bashkëpunime në sektorë të ndryshëm pritet të nënshkruhen mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni.
Një tjetër marrëveshje që ka forcuar bashkëpunimin me vendin fqinj është ajo që parashikon ndërtimin e linjës së re nënujore mes dy brigjeve të detit Adriatik, që do të mundësojë prodhimin dhe transferimin nga vendi ynë drejt Italisë të energjisë nga burime të rinovueshme si era dhe dielli.
Infrastruktura do të lidhë portin shqiptar të Vlorës me bregdetin e Pulias dhe do të çojë në forcimin e lidhjeve ekzistuese elektrike që shtrihen për 430 km përgjatë shtratit të detit Adriatik, duke lidhur Italinë me Malin e Zi dhe rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ky projekt ekonomiko-energjetik ka forcuar partneritetin politik mes Ramës dhe Melonit, pas marrëveshjes së nënshkruar për transferimin e emigrantëve nga Italia në qendrat që funksionojnë tashmë në Shëngjin dhe Gjadër.
Aty procesohen nga pala italiane kërkesat për azil të atyre personave që janë shpëtuar në detin Mesdhe nga marina italiane dhe realizohet dëbimi i këtyre emigrantëve ilegalë drejt vendit të tyre të origjinës.
Falë bashkëpunimit mes dy qeverive, tashmë që nga 1 korriku rreth 421 mijë shqiptarë përfitojnë nga pensionet.
Kjo shënon zbatimin e plotë të marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore.
Kjo marrëveshje ka sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë, por edhe për mijëra italianë që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pune për efekt pensioni jashtë atdheut.
Për Italinë, kjo mbledhje e 13 nëntorit do të jetë e para po ashtu me një qeveri të një shteti që nuk është ende anëtare e Bashkimit Europian.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 