Qeveria shqiptare dhe ajo italiane do të zhvillojnë një takim të përbashkët më 13 nëntor në Romë. Përveç kryeministrave Edi Rama dhe Xhorxhia Meloni, pritet të marrin pjesë edhe nga 10 ministra nga secila qeveri.
Në agjendë është parashikuar që fillimisht të ketë takime bilaterale mes ministrave sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë.
Rama dhe Meloni do të kenë gjithashtu një takim tet-a-tet dhe më pas edhe një mbledhje të përbashkët të të dy kabineteve. Mes dy qeverive do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje, ndërsa mediave do t’u adresohen me deklarata krerët e qeverive të të dy vendeve.
Në prag të këtij takimi, qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje për bashkëpunim strategjik me qeverinë italiane, në të paktën 10 fusha, që nga shëndetësia, energjia e mjedisi, deri te industria e sigurisë apo rritja inteligjente.
Bashkëpunimi mes qeverive të Tiranës dhe Romës ka njohur rritje së fundmi.
Një marrëveshje që shihet me interes nga të dyja qeveritë është ajo që parashikon ndërtimin e linjës së re nënujore mes dy brigjeve të detit Adriatik, që do të mundësojë prodhimin dhe transferimin nga vendi ynë drejt Italisë të energjisë nga burime të rinovueshme si era dhe dielli.
Një marrëveshje e rëndësishme ishte edhe ajo për transferimin e emigrantëve nga Italia në qendrat e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër.
Falë bashkëpunimit mes dy qeverive, që nga 1 korriku, rreth 421 mijë shqiptarë u janë njohur kontributet shoqërore për efekt pensioni.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
