Rreth 1500 efektivë policie do të jenë në terren me qëllim menaxhimin e tifozëve në ndeshjen Shqipëri-Serbi, të shtunën më 7 qershor, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Policia e Shtetit publikoi planin e masave për ndeshjen e vlefshme për eliminatoret kualifikuese të Botërorit 2026, ku ndër të tjera njoftoi kufizimin e lëvizjes në disa akse, ditën që do të zhvillohet eventi sportiv.
Kështu, nga ora 15:00 e deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në akset rrugore që lidhen me stadiumin kombëtar.
Nisur nga incidenti i regjistruar në Beograd, 11 vite më parë, policia njofton se përdorimi i dronëve në perimetrin pranë stadiumit gjithashtu do të jetë i ndaluar.
Për të garantuar këtë, uniformat blu njoftojnë se do të përdoren pushkë dhe bllokues valësh me qëllim rrëzimin e dronëve.
Ndërkohë, personat që do të kapen duke kryer shkelje si veprime të dhunshme në stadium, hyrja në fushën e lojës apo hedhja e sendeve të forta, do të gjobiten me 50 000 deri në 100 000 lekë.
Për hedhjen e sendeve të forta apo fishekzjarreve, ndëshkimi është deri në dënim me burg, ndërsa goditja e futbollistëve apo trajnerëve dënohet deri në 5 vjet.
Me qëllim parandalimin e çdo skenari, Policia e Shtetit po bashkëpunon edhe me stafin e Kombëtares Serbe për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje të rëndësishme.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
