Politika në Shqipëri reagoi njëzëri për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, që dënoi 4 ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një foto, e cila si simbolike mbante një tel me gjemba duke e shoqëruar me fjalën “Marre”, duke e konsideruar kështu turp verdiktin e trupës gjykuese në Hagë.

Edhe për presidentin Bajram Begaj ky është një vendim i trishtueshëm por askush thotë nuk mund ta njollosë luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër!”, tha presidenti Begaj.

Një ditë jo të mirë për shqiptarët e cilësoi edhe kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai theksoi se ky është një vendim i padrejtë dhe i pamerituar.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.  PD shpreh vlerësimin më të madh për luftën çlirimtarë të Kosovës dhe shpreson dhe beson se Apeli i gjykatës unike në botë në llojin e saj, se aty janë mbledhur të gjitha dosjet e Beogradit”, tha Berisha.

Berisha shprehu besimin se apeli do të bëjë drejtësi për katër ish krerët e UÇK-së. Lideri i opozitës i bëri thirrje qytetarëve në Kosovë për vetëpërmbajtje.

/tvklan.al