Revista italiane e udhëtimeve “Wom Travel” e ka renditur Rivierën Shqiptare midis 12 destinacioneve më të mira evropiane për pushime verore në vitin 2026.

Në artikullin e botuar në të përditshmen italiane shkruhet se në korrik, ditët janë të gjata dhe me diell, temperaturat ju ftojnë të zhyteni në ujërat e ngrohta, dhe destinacionet turistike janë pa turma të mëdha turistësh.

Ky ekuilibër i përkryer e bën atë kohën ideale për të zbuluar perlat e Mesdheut dhe më gjerë. Për turistët që janë në kërkim të një destinacioni të ri me një det si të Karaibeve dhe çmime tepër konkurruese, Riviera Shqiptare mbetet një surprizë e papritur.

Kjo pjesë bregdetare në jug të Shqipërisë, me pamje nga deti Jon, ofron plazhe dhe peizazhe që rivalizojnë ato të Greqisë fqinje, por me një atmosferë edhe më autentike dhe më pak të mbushur me vizitorë.

Pikat kryesore turistike janë Saranda, qendra më e gjallë dhe turistike, dhe Ksamil, i famshëm për ujërat e tij të kristalta dhe ishujt, të arritshëm me not ose me varkë, të cilët janë konsideruar nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”.

Përgjatë rrugës bregdetare që zbret nga Qafa e Llogorasë, do të gjeni plazhe të mrekullueshme si Dhërmiu, Jala dhe Himara.

Përtej detit, rajoni ofron vende arkeologjike si Butrinti, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe sharmin e një destinacioni që po evoluon me shpejtësi dhe që ka arritur të ruajë shpirtin e tij autentik.

Sipas artikullit, Shqipëria është zgjedhja ideale për pushime në plazh me kosto të ulët, por me cilësi të lartë, sidomos në pjesën e parë të korrikut.

Klan News

/tvklan.al