Shqipëria nuk është më një sekret. E izoluar për dekada, ajo po shndërrohet me shpejtësi në destinacionin më emocionues të udhëtimeve në Europë, shkruan revista kanadeze HOLR Magazine. Falë fluturimeve me kosto të ulët që tashmë lidhin Tiranën me metropolet kryesore, numri i vizitorëve po njeh rritje rekord.

Vendi ofron një kombinim unik të qyteteve të vjetra osmane, rrënojave bizantine, plazheve të mrekullueshme në Jon dhe Alpeve madhështore. Por për revistën kanadeze, sekreti më i madh fshihet në Veri.

Porta hyrëse është Shkodra, e shndërruar në një qendër të gjallë turistike falë Kalasë së Rozafës dhe Pazarit të Vjetër. Por sapo udhëton në lindje, peizazhi merr përmasa përrallore. Kanioni i lumit Drin dhe ujërat bruz të Liqenit të Komanit i lënë vizitorët pa fjalë.

Perla e vërtetë mbetet Lumi i Shalës, i pagëzuar si “Tajlanda e Shqipërisë”. Një kanion i rrethuar nga shkëmbinj të lartë, ku uji është aq i kthjellët sa dallohet çdo detaj në fund të tij. I aksesueshëm vetëm me varkë, ky destinacion ofron një arratisje magjike nga prilli në tetor me çmime që nisin nga 25 euro.

Revista kanadeze sugjeron se Shqipëria duhet vizituar pikërisht tani. Infrastruktura është përmirësuar, çmimet mbeten të ulëta dhe turmat e mëdha ende nuk kanë mbërritur. Shqipëria mbetet një thesar në zbulim e sipër, një moment unik që nuk do të zgjasë përgjithmonë.

Klan News

/tvklan.al