Shqipëria dhe Italia do të prodhojnë anije ushtarake në PashaLiman.

Në godinën qeveritare u nënshkrua këtë të mërkurë marreveshja e bashkëpunimit mes shoqërisë shtetërore KAYO dhe kompanisë italiane Fincantieri, ndërtuesit më të madh të anijeve tregtare dhe ushtarake në Europë.

Projekti parashikon të kthejë Shqipërinë një bazë të re europiane të Fincantierit për anijet e vogla dhe të mesme. Kryeministri Edi Rama e konsideron këtë investim një gur themeli për zhvillimin industrial ku pikë se pari thotë se, përfiton vendi ynë.

“Do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e shoqërisë, në mënyrë konkrete,  dy anijet e para që do të ndërtohen do te jene  për Forcat tona të Armatosura dhe që do të çojnë në shtatë numrin total të flotës tonë, e cila në termat e përcaktuara nga statusi jonë madhor, po sigurisht dhe me NATO-n është një numër optimal, përsa i përket peshës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë në Mesdhe”, tha kryeministri Edi Rama.

Prodhimi i mjeteve lundruese detare nuk do të jetë vetëm për nevojat e vendit por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.

“Sistemi i Fincantierit ka nevojë dhe vizion për të zhvilluar këtu një produkt që të shërbejë fillimisht për forcat e armatosura të shqipërisë fillimisht. Por me pas të jetë një trampolinë për një operacion rindustrializimi i kësaj pjesë të Europës”, tha presidenti i Fincantierit, Piorroberto Folgiero.

“Sigurisht prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku sigurisht është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim, do të implementohet”, u shpreh Rama.

Ky investim synon të nxisë punësimin e të rinjte duke hapur deri në 400 vende të reja pune.

“Projekti parashikon krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman, ku pritet të punësohen rreth 400 persona. Ky investim konsiderohet një gur themeli për zhvillimin industrial të vendit, duke nxitur njëkohësisht punësimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve vendase në teknologji të avancuar”, theksoi Ministri I Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Për kryeministrin Rama, një marrëveshje e tillë, mbart një domethënie të rëndësishme për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit.

“Shpresoj që bota të përmirësohet dhe që luftërat të përfundojnë, por ndërkohë Shqipëria është shumë e vogël për të vendosur të ardhmen e botës dhe fatin e lojës së shahut gjeopolitike, por duhet të përshtatemi. Duhet të përshtatemi sigurisht në të voglën tonë për të pasur një mbrojtje dinjitoze dhe për të pasur gjithçka që nevojitet për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël, por krenar në aleancën Transatlantike, ku ne bëjmë pjesë”, u shpreh Rama.

Gjithashtu nisma forcon partneritetin mes dy shteteve, duke sjellë një ekselencë të përbashkët italo-shqiptare në industrinë e kantiereve detare.

Klan News

/tvklan.al