Shqipëria dhe Mali i Zi do të mund të dërgojnë komisionerët e tyre në Bruksel në përbërje të KE-së edhe përpara se këto shtete të anëtarësohen zyrtarisht në Bashkimin Evropian, sipas planeve të reja që po shqyrtohen nga Komisioni Evropian.
Sipas medias belge Rapporteur, kjo ide do të mundësonte një përfshirje më të madhe të shteteve kandidate në politikat evropiane përpara se të 27 shtetet anëtare të BE-së të përfundojnë procedurat e tyre kombëtare të ratifikimit, një proces që mund të zgjasë në kohë.
Komisioneri i ri shqiptar dhe ai malazez mund të marrin pjesë në punën e Kolegjit të Komisionerëve dhe të ndihmojnë në formësimin e legjislacionit të BE-së, një e drejtë që deri më tani është rezervuar për zyrtarët e shteteve anëtare. Në dokumentin e zbardhur nga media belge thuhet:
“Komisioni Evropian e konsideron të justifikuar mundësinë që një vend që po anëtarësohet në Bashkim duhet të emërojë një Komisioner gjatë kësaj periudhe. Një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjiumit për çështje relevante, duke ruajtur plotësisht autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të këtij organi drejtues të BE-së”.
Nëse një Komisioner do të merrte detyrën në ndërtesën Berlaymont në Bruksel përpara se vendi i tij të bëhej zyrtarisht anëtar i BE-së, kjo do të ishte një lëvizje që bëhet për herë të parë në historinë e Unionit.
Komisioni do t’u ofrojë vendeve kandidate një integrim gjithnjë e më të thellë në tregun e vetëm, ndërkohë që ato zbatojnë reformat e brendshme të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian .
Këto shtete do të përfshihen gradualisht në një sërë programesh dhe skemash të BE-së, që përfshijnë krahas Zonës se Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) që është në proces edhe, programin kërkimor Horizon, skemën e tregtimit të emetimeve, shërbimet publike digjitale, iniciativat e sigurisë kibernetike si dhe në projektet e mbështetura nga BE-ja që synojnë mbështetjen e investimeve të mëdha strategjike në fusha të tilla si teknologjia dhe energjia.
Një plan të detajuar mbi strategjinë e re të zgjerimit do të paraqesë të martën në Bruksel komisionerja Marta Kos.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 