Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka konfirmuar interesin e Shqipërisë për blerjen e dy sistemeve raketore amerikane HIMARS, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë dritën jeshile për shitjen e mundshme të tyre. Paketa ushtarake vlerësohet rreth 210 milionë dollarë dhe përfaqëson një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes Tiranës dhe Uashingtonit.

Nufi bëri të ditur se pajisjet e reja do t’i japin ushtrisë shqiptare mundësi që aktualisht nuk i ka, duke e aftësuar të godasë me precision, objektiva edhe në largësi. Sipas tij, ky kapacitet do të rrisë ndjeshëm fuqinë operacionale të Forcave të Armatosura dhe do të forcojë rolin e Shqipërisë në strukturat e NATO-s.

Marrëveshja e propozuar nuk përfshin vetëm dy platformat HIMARS, por edhe raketat përkatëse, përgatitjen e trupave që do t’i përdorin ato dhe asistencën teknike për mirëmbajtjen. Financimi parashikohet të realizohet përmes një kredie të programit amerikan FMF, i cili mbështet blerjet ushtarake të vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet amerikane kanë njoftuar Kongresin për propozimin, ndërsa procesi duhet të ndjekë hapat e mëtejshëm ligjorë përpara se të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

/tvklan.al