Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e play off-it të Botërorit 2026, një sfidë e vështirë për Kuqezinjtë. Shorti i hedhur të enjten në Zyrih dhe i transmetuar në TV Klan vendosi rrugëtimin drejt fazës finale të Kupës së Botës.

Skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të luajë këtë ndeshje të vetme në transfertë, pasi renditet një vazo më poshtë se Polonia, një kundërshtar me të cilin është ndeshur disa herë vitet e fundit duke marrë edhe rezultate pozitive.

Nëse Shqipëria kualifikohet për finalen e play off-it, ajo do të përballet me fituesin e takimit Ukrainë – Suedi, sërish në transfertë, sipas përcaktimeve të shortit.

Në anën tjetër, Kosova do të sfidojë Sllovakinë në gjysmëfinalen e saj, duke pasur një kalendar disi më të favorshëm. Edhe Dardanët do të luajnë në transfertë. Nëse arrijnë të kualifikohen, ata do të diskutojnë biletën për turneun final me fituesin e përballjes Turqi – Rumani, ndeshje që do të zhvillohej në Prishtinë.

Faza e play off-it për zonën europiane do të luhet nga 26 deri më 31 mars. Kjo është hera e parë që të dy ekipet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, janë kaq pranë një kualifikimi historik në finalet e Kupës së Botës.

Nga 16 skuadra pjesëmarrëse në play off-et europiane, vetëm 4 do të sigurojnë biletën për fazën finale.

Botërori 2026 do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dhe do të transmetohet në TV Klan. Për herë të parë, turneu do të ketë 48 skuadra, nga 32 që ishin deri në edicionin e vitit 2022.

Tv Klan

/tvklan.al