Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve e rendit Shqipërinë në vend të dytë sa i takon fluksit të pasagjereve në aeroporte për muajin Shkurt. Sipas klasifikimit të ACI, vendi ynë e ka rritur me 227,9 % trafikun e pasagjerëve krahasuar me 2019, i cili mbetet një nga vitet më të mirë sa i takon turizmit.

Nga 46 vendet e marrë në shqyrtim, vendin e parë e zë Uzbekistani me një rritje prej 229.2%, me një diferencë të papërfillshme me Shqipëria dhe në vend të tretë Kazakistani me 106.2%.

Në këtë publikim të fundit, sipas shifrave zyrtare, Shqipëria me Aeroportin Kombëtar “Nënë Tereza” lënë pas vende me traditë në turizëm si Kroacia, Franca, Greqia, Portugalia, Turqia etj.

Për këtë lajm ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, në rrjetin social X, i cili shkruan se është krenar që Shqipëria kryeson në rritjen e trafikut të pasagjerëve edhe për muajin Shkurt, ndërsa thotë se Shqipëria është gati të mirëpresë botën.

Deri më tani shifrat e vizitorëve të huaj në vendin tonë përgjatë tre muajve të parë të vitit kanë tejkaluar atë të 1.7 milionë turistëve, duke vendosur një rekord në shifrat e industrisë së mikpritjes.

Tv Klan