Flukset turistike në vendin tonë vijojnë të mbeten të larta dhe të jenë në qendër të vëmendjes edhe të organizmave ndërkombëtare të turizmit. Sipas Kombeve të Bashkuara për turizmin “UN Tourism” gjatë takimit të 71 të Komisionit për Europën në Baku të Azerbajxhanit, Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para pandemisë.
Ky raport i publikuar gjatë takimit në Baku e rendit vendin tonë të parin nga 10 shtete të tjera të cilat turizmit e kanë traditë prej vitesh si Greqia apo dhe Portugalia.
Këto të dhëna të “UN Tourism” janë një konfirmim ndërkombëtar për suksesin e sektorit të turizmit të Shqipërisë, ku vit pas viti ka regjistruar rritje të vizitorëve të huaj jo vetëm nga Europa, por edhe nga vende më të largëta si Amerika, Kandaja, Australia apo dhe vendet aziatike.
Sipas të dhënave zyrtare vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 2.3 milionë turistë të huaj, por pritshmëritë janë të mëdha për muajt në vijim e veçanërisht përgjatë muajve të verës, kur regjistrohen dhe flukset më të mëdha të vizitorëve të huaj.
Këta të fundit në 97% të rasteve e zgjedhin vendin tonë si destinacionin e tyre të preferuar për pushime, ku gjatë stinës së verës pjesa më e madhe e turistëve i drejtohen rivierës shqiptare.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale, i cili ka shpërndarë raportin. Ai thotë se Shqipëria ka marrë një tjetër konfirmim të rëndësishëm nga partnerët ndërkombëtarë për suksesin e modelit të saj turistik, i cili vit pas viti po sjell një rritje të qëndrueshme të vizitorëve dhe të ardhurave për vendin.
Rama theksoi se strategjia e ndërtuar mbi zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, promovimin e pasurive natyrore dhe kulturore, si dhe investimet në infrastrukturë, po japin rezultatet e duhura dhe po e vendosin Shqipërinë në hartën e destinacioneve më tërheqëse në Evropë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 