Pas fitores historike ndaj Ukrainës, kombëtarja kalon në “Klan Kuqezi” ku ekspertët analizojnë lojën e sotme të Shqipërisë.

Erjon Bogdani, Klodian Duro, Elert Yzeiri dhe Arjan Peço janë të mendimit që Shqipëria e meritoi fitoren me përmbysje 1-2 ndaj Ukrainës.

Erjon Bogdani: Fitore e merituar. Skuadra luajti shumë mirë në të dyja fazat e lojës. Krijuam rase. Sot skuadra më pëlqeu shumë. Skuadra luftoi dhe lojtarët në fushë dhanë maksimumin. Ishte një fitore e merituar.

Klodian Duro: E thashë që në fillim që këtu në Tv Klan i sjellim fat kombëtares. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë ku duhej të kishim shënuar. Ai gol i pësuar na shtoi urinë që të ktheheshim në lojë me atë gol të Ismajlit që për mua ishte lojtari më i mirë për sot. Sot të gjithë bënë maksimumin.

Elert Yzeiri: Ka një gjë të mirë, po thyejmë bllokuan lindor sepse skuadrat lindore na kanë mundur dhe në mënyrë të lehtë fare. Ekipet lindore na kanë krijuar probleme. Unë dua të citoj diçka, sot Shqipëria kishte formë, përmbajtje. Ishte një skuadër korale sot veçanërisht pas 20 minutave të para. Luajti në mënyrë korale, të kujdesshme. Ai testi ishte më shumë për trajnerin se për futbollistët sot.

Arjan Peço: Ndeshja jonë filloi sot jo shumë mirë. Ukraina e filloi shumë herë më mirë se sa ne. Nuk është se ne u stepëm pak nga ky fillim i Ukrainës, por me kalimin e kohës po krijonim raste. Kjo ishte ajo keqardhja e pjesës së parë sepse të kujtohen ndeshjet e kombëtares ku nuk kemi shënuar dhe jemi zhgënjyer. Sot në krahasim me herët e tjera Shqipëria reagoi shumë mirë. Kishte logjikë mënyra e ndërtimit të lojës, kishte logjikë mënyra e daljes në zonën e kundërshtarit.

Kujtojmë se për kuqezinjtë në këtë sfidë shënuan Ardian Ismajli dhe Jasir Asani./tvklan.al