Shqipëria është një destinacion gjithnjë e më tërheqës për udhëtarët italianë që kërkojnë det, natyrë, qytete historike dhe çmime që mbeten konkurruese krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare. Kështu nis artikulli i blogut italian të udhëtimeve “Viaggi & Vacanze” për Shqipërinë.

Afërsia e saj gjeografike, lidhjet direkte ajrore dhe mundësia për të organizuar një larmi të shumtë itineraresh e bëjnë vendin të përshtatshëm si për pushime në plazh ashtu edhe për një udhëtim nëpër fshatra, male, vende arkeologjike dhe për të provuar kuzhinën lokale.

“Viaggi & Vacanze” shkruan në sugjerimin për vizitorët italianë se pika e parë e hyrjes për shumë italianë është Tirana, një kryeqytet energjik, plot ngjyra dhe më interesant nga sa imagjinohet shpesh. Sheshi Skënderbej, muzetë që lidhen me historinë e vendit dhe baret dhe restorantet moderne ju lejojnë t’i kushtoni të paktën një ose dy ditë qytetit.

Tirana është gjithashtu një bazë e mirë për të filluar të kuptoni ritmin e Shqipërisë, me trafikun e saj, kafenetë e mbushura me njerëz në çdo orë dhe një kuzhinë që përzien ndikimet ballkanike, mesdhetare dhe osmane.

Ndërsa për ata që duan historinë dhe trashëgiminë kulturore, Berati dhe Gjirokastra me qendrat e tyre historike janë të listuara si vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si shembuj të arkitekturës urbane të epokës osmane, me shtëpi tradicionale, kështjella, rrugë guri dhe pamje shumë mbreslënëse.

Një tjetër arsye pse italianët duhet të vizitojnë Shqipërinë sipas blogut “Viaggi & Vacanze” është edhe vija bregdetare e Adriatikut dhe Jonit. Duke nisur me Durrësin shumë afër Tiranës dhe i përshtatshëm për ata që mbërrijnë me traget nga Italia.

Riviera Shqiptare ofron një larmi të gjerë plazhesh, nga vendpushime të gjalla si Saranda dhe Ksamili deri te zona më të egra përreth Himarës, Borshit apo Dhërmiut. Gjatë korrikut dhe gushtit, zonat më të njohura mund të mbushen me njerëz, kështu që qershori dhe shtatori janë shpesh më të këndshëm për ata që kërkojnë temperatura verore, por më pak fluks turistësh.

Në përmbyllje të artikullit blogu “Viaggi & Vacanze” shkruan se kuzhina shqiptare është një nga arsyet më të këndshme për të vizituar vendin pasi ofron një lamirshmëri produktesh që nga ato tradicionale deri tek produktet e detit.

Klan News

/tvklan.al