Kryetarë shtetesh e qeverish, drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësues të biznesit dhe organizatave joqeveritare nga e gjithë bota janë bërë bashkë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës që po mbahet në Poloni.

Diskutimet do të përqendrohen tek mobilizimi i investimeve jo vetëm për të ringritur atë që është goditur nga lufta, por edhe për zhvillimin afatgjatë të Ukrainës, e cila prej 4 vitesh po përballet me sulmet ruse.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në fjalimin e tij, shprehu qëndrimin e vendit të tij se Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë. Nga ana tjetër, ai theksoi se njëkohësisht me rindërtimin duhet ecur me integrimin në BE.

“Besoj se koncepti i këtij takimi është shumë i thjeshtë: nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike”.

Por bashkë me rindërtimin e godinave dhe ekonomisë, Rama mendon se Kievi po i jep një dorë edhe Europës.

“Rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë. Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës”.

Sektorët më të prekur nga agresioni rus, ku synohet të sigurohen investime, janë energjia, infrastruktura kritike dhe logjistika, por edhe me shumë vëmendje forcimi i kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes. Punimet e konferencës, Rama do t’i shfrytëzojë për takime dypalëshe, një prej të cilëve është edhe ai me Komisioneren e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos.

Tv Klan

/tvklan.al