Shqipëria është vendi me përmirësimin më të madh në botë në Indeksin e Zhvillimit të Udhëtimeve dhe Turizmit 2026 të Forumit Ekonomik Botëror. Sipas raportit, vendi ka rritur me 7% rezultatin e tij krahasuar me vitin 2024, falë përmirësimeve në shërbimet dhe infrastrukturën turistike, transportin ajror, si dhe infrastrukturën tokësore dhe portuale.

Raporti vlerëson se këto përmirësime po ndihmojnë Shqipërinë të shndërrojë rritjen e kërkesës nga turistët në më shumë zhvillim të sektorit. Shqipëria renditet kështu si ekonomia me rritjen më të madhe të rezultatit në indeks ndër 110 ekonomitë e analizuara.

Në krye të renditjes globale për vitin 2026 është Japonia, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Spanja, Australia dhe Franca. Dhjetëshja e parë plotësohet nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kina, Zvicra dhe Italia.

Në total, 92% e ekonomive të përfshira në indeks kanë përmirësuar rezultatin e tyre krahasuar me vitin 2024. Forumi Ekonomik Botëror thekson se përmirësimet globale janë nxitur kryesisht nga burimet kulturore, infrastruktura dhe shërbimet turistike, si dhe lidhjet ajrore.

Për Shqipërinë, raporti veçon pikërisht investimet në këto fusha si faktorë të rëndësishëm të progresit. Ndërkohë, indeksi nuk mat drejtpërdrejt numrin e turistëve apo të ardhurat nga turizmi, por vlerëson kushtet që mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe rezistent të sektorit.

Raporti sjell edhe një tjetër të dhënë të rëndësishme për sektorin global: në vitin 2025 u regjistruan 1.5 miliardë mbërritje turistike ndërkombëtare, ndërsa turizmi kontribuoi me rreth 11.6 trilionë dollarë në ekonominë botërore dhe mbështeti 366 milionë vende pune.

Për Shqipërinë, renditja e vitit 2026 sjell një tregues të fortë të progresit të sektorit, ndërsa sfida e radhës mbetet shndërrimi i kësaj rritjeje në zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime më të mëdha për ekonominë dhe komunitetet lokale.

Tv Klan

/tvklan.al