Revista amerikane “The Coolist”: Vend me një mrekulli gjeografike, histori dhe kulturë të gjallë

Këtë verë udhëtarët po priren drejt eksperiencave më autentike dhe destinacioneve më të mira që plotësojnë kërkesat dhe interesat e tyre.

E një prej këtyre destinacioneve është padyshim Shqipëria. Në një artikull të saj, në revistën amerikane “The Coolist”, Maria Mikkelsen e rendit vendin tonë mes 10 vendeve më të mira për të udhëtuar këtë vit.

Ajo e liston Shqipërinë mes vendeve të tilla si SHBA, Spanjë, Meksikë, Kanada, Indonezi, Estoni, Tajvan apo Porto Riko.

Shqipëria shkruan gazetarja është një vend në Evropën Juglindore me një mrekulli gjeografike dhe një histori dhe kulturë të gjallë. Maria shkruan se Shqipëria në tërësi ofron pamje piktoreske për shkak të pozicionit të saj midis deteve Adriatik dhe Jon.

Kultura e vendit është e lashtë, që përfshin zakone shekullore, kulinari, art, muzikë dhe letërsi.

Shqipëria ka tërhequr një numër në rritje vizitorësh për shkak të vendeve të saj natyrore dhe arkeologjike, shkruan Maria Mikkelsen.

Për shembull, Riviera Shqiptare përmban ujëra të pastra, fshatra dhe plazhe piktoreske, si dhe Parkun Kombëtar të Llogarasë. Ndërkohë, Butrinti është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike të Evropës Juglindore, me rrënoja greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Gjirokastra, sipas revistës amerikane, është shembull i arkitekturës osmane.

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është nga Prilli në Qershor dhe nga Shtatori në Tetor për shkak të motit më të butë. Ndërsa anasjelltas koha më e keqe për të vizituar do të ishte Dhjetori deri në Shkurt, pasi gjatë dimrit temperaturat bien në rajonet më malore. Por, në përgjithësi, klima e Shqipërisë është relativisht e butë.

“The Coolist” bën një përllogaritje të shpenzimeve ditore që i duhet një turisti në vendin tonë. Ato arrijnë nga 35 deri në 190 Dollarë, ndërsa për transportin midis qyteteve rekomandon marrjen e autobusit apo furgonit, por pse jo edhe të një makine me qira, e cila ofron më shumë fleksibilitet për të eksploruar zona të largëta.

Klan News