Shqipëria është ndër vendet me flukset turistike më të ngarkuara në botë, duke u renditur e 6-ta në rang global sipas të dhënave të organizatës botërore të “UN Tourism” dhe Bankës Botërore.

Referuar të dhënave për 25 shtete, Shqipëria regjistron rreth 5 turistë për çdo banor, duke u renditur në vendin e gjashtë mes vendeve të marra në shqyrtim nga dy organizmat e rëndësishëm botërorë.

Kjo renditje e vendos vendin tonë edhe përpara destinacioneve të njohura turistike si Maldivet, Bahamas, Barbados, Kroacinë dhe Malin e Zi, të cilat njihen për fluksin e lartë të vizitorëve falë popullaritetit dhe bukurive të tyre.

Në analizën e të dhënave të organizatës botërore të turizmit “UN Tourism” dhe Bankës Botërore nënvizohet se destinacionet turistike më të ngarkuara në botë nuk janë gjithmonë ato me numrin më të lartë të vizitorëve në total, por ato që kanë më shumë turistë në raport me numrin e banorëve.

Në vendet më të vogla, si Shqipëria dhe disa shtete të tjera të Ballkanit, mbërritjet vjetore të turistëve mund ta tejkalojnë disa herë popullsinë vendase.

Nga statistikat e mësipërme, Andorra rezulton të jetë destinacioni më i ngarkuar me turistë në botë, pasi turizmi përbën rreth katër të pestat e ekonomisë së saj, ndërsa vendi regjistron rreth 51 turistë për çdo banor.

Referuar të dhënave zyrtare për 6-mujorin e parë të vitit 2026, në vendin tonë u regjistruan mbi 5 milionë vizitorë të huaj, me një rritje totale prej +6.25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Klan News

/tvklan.al