Qeveria ka miratuar në mbledhjen e kësaj të marte një akt normativ për të rritur në 2.6% të PBB buxhetin për mbrojtjen, ndërkohë që kërkesa e krerëve të NATO-s për vendet anëtare është që shpenzimet për këtë sektor të jenë 5%. Vetë kryeministri, që lajmëroi marrjen e këtij vendimi gjatë paradites, e cilëson si një hap shumë të rëndësishëm që do të shoqërohet me rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.
“Ndër të tjera Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur targetin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, që e çon në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, shpenzimin tonë për mbrojtjen, ku përfituesit e drejtpërdrejtë janë të gjithë ata, të cilët janë pjesë e strukturës sonë të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura, por edhe të gjithë ata, të cilët do t’i bashkohen hap pas hapi kësaj rritjeje të jashtëzakonshme të kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe të sigurisë, pjesë e të cilës është edhe rritja e industrisë ushtarake”.
Pjesë e synimit për të rritur kapacitetet njerëzore në ushtri është edhe marrëveshja e nënshkruar në Pashaliman mes kompanisë italiane FINCANTIERI, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë, për zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare. Nisja e punës së kompanisë italiane hap rrugën për projektin e ndërtimit të anijeve në bazën e Pashalimanit, që do të krijojë 500 vende pune sipas kryeministrit.
“Janë 500 vende pune që krijohen në këtë territor nga ky partneritet dhe siç e tha edhe administratori i përgjithshëm, janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar, që kërkojnë ekspertizë. Janë 500 vende pune të mirë paguara, janë 500 vende pune në këtë sistem të ri që po ndërtohet. Dhe duhet pas parasysh që të gjithë ata të cilët do të përfshihen në këtë sipërmarrje nuk do të jenë thjesht njerëz që zotërojnë një zanat, por do të jenë dhe njerëz që do të do të shikohen edhe nga ana e figurës së tyre, sepse do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, në sensin që do të marrin informacion, do të dinë shumëçka ndodh këtu brenda dhe që duhet të mbetet po këtu brenda për arsye të të gjitha atyre specifikave që ka kjo industri”.
Çdo investim i huaj, kujton kryeministri, sjell mundësi të mëdha për ekonominë dhe punësimin, duke e lidhur këtë edhe me investimin në Zvërnec, që ngriti në protestë qytetarët një muaj më parë.
“Këto investime të mëdha që vijnë janë investime që kanë ndër të tjera edhe këtë komponent shumë të rëndësishëm. Dhe të gjithë atyre që flasin në hava për investitorët e huaj, për investimet e huaja, për partneritet me të huajt që ju merrkan punën shqiptarëve, dua t’ju them që jo, e vërteta është e kundërt. Në radhë të parë këto investime vijnë për shqiptarët, vijnë për ata të cilët duan punë, duan të jetojnë me punë, janë të gatshëm të sakrifikojnë në punë dhe përmes punës të rriten dhe të ngjisin shkallët e një karriere profesionale, që sa më lart ngjitesh aq më mirë të paguan. Dhe kjo është e vërtetë për këtë investim, kjo është e vërtetë për çdo investim, kjo është e vërtetë dhe për të gjitha investimet në turizëm, se nuk dua t’i shmangem pamjes së jashtëzakonshme të gjirit të Vlorës pa e përmendur edhe faktin që investimi për të cilin bëhet një diskutim marramendës dhe absurd sjell, jo 500 si këtu, por 10.000 mundësi të reja vendesh pune dhe natyrisht sjell 10.000 mundësi të reja vendesh pune për në radhë të parë djemtë dhe vajzat e kësaj zone dhe pastaj djemtë dhe vajzat nga gjithë Shqipëria që do të duan të bëhen pjesë. Dhe nuk sjell vende pune të keqpaguara, nuk sjell vende pune për të shfrytëzuar koston e ulët të krahut të punës, por sjell vende pune për njerëz të kualifikuar”.
Thithja e investimeve të huaja është një luftë reale që zhvillohet, sipas kryeministrit, mes të gjitha vendeve pavarësisht se çfarë modeli qeverisës kanë.
“Kemi nisur me një ekonomi që figuronte në të gjithë totalitetin e vet nën 10 miliardë euro. Sot jemi mbi 27 miliardë, duam të shkojmë 35 miliardë. Dhe 35 miliardë nuk shkohet në mënyra të tjera përveçse përmes rritjes së investimeve. Dhe të gjitha vendet dhe të gjitha shtetet një nga garat kryesore që kanë me njëri-tjetrin është gara e tërheqjes së Investime të huaja. Kush tërheq më shumë investime të huaja? Të gjithë. Qofshin demokraci, qofshin vend mbretëri, janë të tëra vende që luftojnë për tërhequr investimet tuaja. Pra, ideja që investimet e huaja i bie ndesh atdheut është ideja më e marrë që mund të promovohet dhe të cilës i duhet qëndruar vendosmërisht me kurriz”.
Marrëveshja e nënshkruar dy muaj më parë mes FINCANTIERI dhe kompanisë shtetërore KAYO parashikon ndërtimin në fazën e parë të dy anijeve për flotën detare shqiptare, ndërsa më pas kantieri do të vijojë për prodhimin e anijeve për eksport.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 