Me brigjet e lagura nga detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron plazhe që konkurrojnë për nga bukuria ato të ishujve të Karaibeve. Revista argjentinase “La Nacion” thotë se plazhet, malet dhe vendet historike, po tërheqin një numër në rritje turistësh.

Atraksioni kryesor turistik i Shqipërisë janë plazhet e saj, të krahasueshme me ato të Karaibeve. Në jug të vendit, bregdeti i detit Jon ofron peizazhe ëndrrash.

Ksamili është i famshëm për ishujt e tij që mund të arrihen  me not ose varkë, ujërat e kaltër dhe rërën e bardhë. Një tjetër pikë e njohur turistike është Plazhi i Dhërmiut, i njohur për ujërat e tij blu dhe rrethinat malore, ideal si për relaks, ashtu edhe për aktivitete ujore.

Përtej plazheve, ka edhe vende të shumta historike që ia vlen të eksplorohen. Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri dhe njihet nga UNESCO për arkitekturën e tij unike. Pas Beratit është parku kombëtar i Butrintit, ku adhuruesit e historisë mund të eksplorojnë rrënoja nga epokat greke, romake dhe bizantine.

Koha më e mirë për të vizituar vendin tonë sipas revistës argjentinase është midis Majit dhe Shtatorit, kur moti është i përsosur. Vlen të theksohet, sipas medias, se vendi ynë ka përjetuar një rritje vjetore të turizmit.

Kjo media risjell në vëmendje faktin se  vendi ynë ishte i katërti me rritjen më të lartë të turistëve të  huaj me një rritje prej 56%, krahasuar me vitin 2019. Edhe rezervimet për Tiranën janë rritur ndjeshëm këtë verë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Tv Klan