Shqiptarët do të lëvizin shumë shpejt pa viza. Këtë deklaratë Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, e bëri gjatë një takimi që pati me homologun e tij ministrin Basha në Romë.

Ministri Maroni vlerësoi hapat që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, si ta rikonfirmojmë mbështetjen e plotë të qeverisë italiane për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti.

Nga ana e tij ministri Basha falënderoi ministrin Maroni që së bashku me Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së, morën në shqyrtim pa asnjë vonesë dhe mbështetën fuqimisht propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Gjatë takimit Ministri Basha informoi homologun italian Maroni për një sërë masash që janë marrë dhe po ndërmerren nga qeveria shqiptare në kuadër të proceseve integruese në BE, si miratimi i strategjisë për ripranimin e të riatdhesuarve, ngritjen dhe funksionimin e njësisë për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.

Në këtë kontekst Ministri Basha tha se policia shqiptare do të trajnohet për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, po kështu në këtë takim dy ministrat ranë dakord për nënshkrimin së afërmi të një marrëveshje për mbrojtjen e dëshmitarëve./tvklan.al

/tvklan.al