Ismail Kalemasi, nga fshati Savër i Lushnjës, ka një djalë me prapambetje mendore dhe epilepsi.

Ai është informuar nga punonjësi i Postës në Karbunarë se i takojnë pagesa të prapambetura për periudhën 2005-2012, por për t’i përfituar duhet t’i drejtohet gjykatës. Madje, i është sugjeruar edhe një avokate, e cila i ka shpjeguar se duhet të paguajë ekspertin ekonomik rreth 600 mijë lekë të vjetra, pa pasur ende një përllogaritje të saktë të shumës që do të përfitojë.

Sipas avokates Majlinda Meduli, bëhet fjalë për diferenca të krijuara nga mosindeksimi i pagesave të personave me aftësi të kufizuara gjatë viteve 2005-2010. Ajo pretendon se këto shuma nuk jepen vullnetarisht nga bashkitë dhe përfituesit janë detyruar t’i kërkojnë përmes gjykatës.

Sipas përvojës së saj, shuma që mund të përfitohet shkon afërsisht nga 900 mijë deri në 1 milion lekë të vjetra. Kështu, qytetarët përballen me dilemën që duhet të paguajnë shpenzimet e gjyqit për të marrë diferencat që u takojnë.

/tvklan.al