Qytetarët shqiptarë kanë tashmë një mundësi të re udhëtimi, pasi prej ditës së sotme Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka nisur fluturimet direkte me Lisbonën e Portugalisë.

Linja ajrore “EasyJet” realizoi sot fluturimin e saj të parë nga Lisbona drejt Tiranës, me mbërritjen e avionit në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza” që u shoqërua me mirëseardhjen e zakonshme për linjat e reja.

TIA publikoi në rrjetet sociale pamje nga momenti i mbërritjes, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve me Evropën Perëndimore.

Fluturimet do të operohen dy herë në javë, çdo të martë dhe të shtunë, duke ofruar më shumë lehtësi për udhëtarët që duan të vizitojnë familjarët apo të eksplorojnë Portugalinë.

“Sot mirëpritëm fluturimin e parë të ‘EasyJet’ nga Lisbona në Tiranë. Një urë e re midis Shqipërisë dhe Portugalisë sapo u hap”, thuhet në njoftimin e TIA-s.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të zgjerojë rrjetin e destinacioneve, duke u shndërruar në një nyje të rëndësishme ajrore për pasagjerët nga rajoni dhe më gjerë./tvklan.al