Pretenca për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, lidhur me procedimin e dytë penal ndaj tij për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone, është shtyrë.

Siç mësoi gazetarja Glidona Daci, shkak u bë kërkesa e prokurorit Elvin Gokaj. Ai theksoi se janë duke përgatitur konkluzionet përfundimtare në një material prej 75 faqesh, por njëherësh kërkon kohë për të analizuar pretendimet e mbrojtjes të paraqitura në seancën e fundit.

“Na duhet kohë për të integruar në mënyrë të plotë qëndrimet e mbrojtjes në konkluzionet tona”, u shpreh Gokaj. Seanca e radhës për dhënien e pretencës u caktua për datën 2 korrik, ora 08:30.

Jorgo Goro akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-drejtorin e Tokës dhe Menaxhimit të Pronës të Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha gjithashtu i pandehur në këtë dosje.

Çështja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon Goron se në vitin 2016 ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë duke ia kaluar Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.

Ndërkohë për një çështje tjetër, Goro u gjet fajtor për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie duke u dënuar me dy vite e 20 ditë heqje lirie. Gjykata shpalli fajtor për shpërdorim detyre edhe dy ish-zyrtarët Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho.

Tre të pandehurit në këtë proces u morën nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe u gjykuan se në shpërdorim të detyrës lejuan tjetërsimin e një sipërfaqe toke dhe kalimin nga pronë shtet te privatët./tvklan.al