Kërkesa e avokatit Sokol Hazizaj që klienti i tij Fatmir Bektashi dhe shoqëria të gjykohen me procedurë të shkurtuar, u bë shkak për debate në gjyqin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë. Kjo kërkesë, për të cilën nuk u shpreh gjykata, u kundërshtua nga prokurori i çështjes Ols Dado, i cili i tha gjykatës se prej 8 muajsh nuk zhvillohet procesi gjyqësor dhe është qartazi strategji për të zvarritur seancat. Shtyrja e çështjes u mbështet nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili i tha trupit gjykues se gjyqi duhet të zhvillohet pa shkelur të drejtat procedurale.
Pas seancës, Ndreca në një prononcim për mediat tha se prokurori Dado është emocional dhe nuk i ka dhënë mundësinë Veliajt për mbrojtje.
Gjykata pezulloi sërish afatet e paraburgimit për Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule dhe shtyu seancën më datë 3 prill, për shkak se mungoi Artan Simoni, avokati i gardianit të Burgut të Durrësit, Fatjon Baci. Për këtë të fundit, togat e zeza urdhëruan shoqërimin e detyrueshëm të tij në seancën e radhës.
Kjo ishte seanca e tretë në themel ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 28 personave e shoqërive të pandehur. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masë arresti në burg që prej 10 shkurtit 2025. Mbi të rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, akuza që janë hedhur poshtë prej tij.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 