Vëllai i princeshës së ndjerë Diana, Charles Spencer, thotë se mënyra se si mediat trajtojnë sot princin Harry dhe bashkëshorten e tij, Meghan, i kujton periudhën e vështirë që përjetoi e motra.
Në një intervistë për BBC-në, Spencer tha se nuk mban anën e Harry-t apo të ndonjë pale tjetër brenda familjes mbretërore, por se do të jetë pranë të dy nipërve nëse ata kanë nevojë për të.
“Ekziston një perceptim në media se unë jam në krah të Harry-t. Në fakt, unë jam në krah të djalit të motrës sime të ndjerë, të të dy djemve. Dhe nëse secili prej tyre do të ketë nevojë për diçka, do të jem njësoj pranë tij. Ky është roli im.”
Spencer foli edhe për presionin mediatik ndaj Harry-t dhe Meghan-it, duke thënë se tabloidet mund të jenë shumë të ashpra dhe se, sipas tij, duhet nxjerrë mësime nga ajo që ndodhi me Dianën.
“Nëse shikon një artikull në një tabloid për Dianën, apo për çiftin që përmendët, Harry-n dhe Meghan-in, ato mund të jenë vërtet, vërtet të pamëshirshme. Dhe mendoj se njerëzit duhet të mësojnë patjetër nga shembulli i Dianës.”
Deklaratat e Spencer vijnë në një moment kur libri i tij për Dianën ka rikthyer në vëmendje marrëdhëniet brenda familjes mbretërore dhe mënyrën se si princesha u trajtua nga mediat.
“Një nga problemet me Dianën, ajo ishte shumë, shumë e ndjeshme ndaj kritikave. Dhe, sigurisht, jam i sigurt se shumica e shikuesve tuaj tani mendojnë: ‘Ajo kishte një jetë të mrekullueshme dhe gjithçka ishte fantastike’. Por nuk ishte kështu. Ajo ishte shumë e privilegjuar dhe perfekte në shumë aspekte, por u rrëzua vërtet nga gjithë ato kritika. Dhe, po, mendoj se është për të ardhur keq kur shoh jehona të asaj kohe edhe sot.”
Princesha Diana humbi jetën në Paris në vitin 1997, në moshën 36-vjeçare, ndërsa ndiqej nga fotografët. Vdekja e saj shkaktoi një debat të gjerë mbi rolin e medias në jetën e saj private.
Harry dhe Meghan janë shprehur prej vitesh kritikë ndaj medias britanike, ndërsa në vitin 2020 u tërhoqën nga detyrat mbretërore dhe u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
