Autorja e mirënjohur kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2013, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur familja e saj, teksa deklaroi se shkrimtarja ndërroi jetë në shtëpinë në Port Hope në Ontario të hënën mbrëma.

Munro shkroi tregime të shkurtra për më shumë se 60 vjet, shpesh duke u fokusuar në jetën në Kanada. Ajo shpesh krahasohej me shkrimtarin rus Anton Chekhov për dhembshurinë që përcillnin tregimet e saj.

Arritja e parë e saj e madhe erdhi në vitin 1968, kur koleksioni i saj të tregimeve të shkurtra “Dance of the Happy Shades” për jetën në periferi të Ontarios, fitoi çmimin më të lartë letrar të Kanadasë, atë të Guvernatorit të Përgjithshëm.

Munro, vajza e një fermeri dhe një mësuese shkolle, lindi në vitin 1931 në Wingham, Ontario. Shumë prej tregimeve të saj vendosen në zonën ku jetoi, kulturën dhe mënyrën e jetesës së rajonit.

Ajo ka botuar më shumë se një duzinë përmbledhjesh me tregime të shkurtra. Në vitet 1950 dhe 1960, tregimet e saj u transmetuan në CBC dhe u botuan në disa periodikë kanadezë. Disa nga tregimet e saj krahasuan jetën para dhe pas revolucionit social të viteve 1960. Në vitin 2009, Munro fitoi çmimin ndërkombëtar “Man Booker Prize” për arritje të jetës.

“Të lexosh Alice Munro është të mësosh diçka çdo herë që nuk e kishe menduar kurrë më parë”, tha asokohe komisioni i vlerësimit.

Më vonë ajo fitoi çmimin Nobel në 2013. Komiteti i Nobelit e quajti Munron një “mjeshtre të tregimit të shkurtër bashkëkohor”. Ndërkohë, Munro thoshte se në një intervistë për “The Guardian” në 2013 se ajo kishte shkruar histori personale gjatë gjithë jetës së saj./tvklan.al