Presley Gerber, djali i supermodeles amerikane Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare.

Gerber, i cili ishte model, ndërroi jetë të dielën në një qendër rehabilitimi, megjithatë shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.

“Familja kërkon privatësi gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë dhe të dhimbshme”, tha Allie Jenkins, përfaqësuese e Cindy Crawford dhe Rande Gerber, për CBS, partnerin amerikan të BBC-së.

Presley Gerber ndoqi gjurmët e nënës së tij në modeling. Ai debutoi në pasarelë në moshën 16-vjeçare, duke sfiluar për markën italiane Moschino, ndërsa më vonë punoi me emra të njohur të modës, përfshirë Burberry, Dolce & Gabbana dhe Bottega Veneta.

Vitet e fundit, Gerber kishte folur hapur për problemet e tij me shëndetin mendor, depresionin dhe përdorimin e drogës. Në vitin 2023, ai tregoi në podcastin “Studio 22” se dëshironte që përvoja e tij të mund të ndihmonte edhe të tjerë.

“Duke qenë se kam vuajtur nga problemet e shëndetit mendor, depresioni dhe disa gjëra të tjera që vijnë bashkë me to, mendoj se, nëse arrij të ndihmoj qoftë edhe një person apo njëqind njerëz të dalin nga ajo gjendje ku ndodhesha dikur, për mua kjo është e mjaftueshme”, ishte shprehur ai.

Edhe motra e tij, modelja Kaia Gerber, kishte folur së fundmi për betejën e të vëllait me varësinë. Në një intervistë për “American Vogue”, ajo tha se një situatë e tillë ndikon te e gjithë familja.

“Kur diçka e tillë ndodh në një familje, në njëfarë mënyre të gjithë preken”, tha Kaia.

Presley dhe Kaia kishin një marrëdhënie shumë të afërt dhe në vitin 2018 u shfaqën së bashku në një fushatë të Calvin Klein.

“Jemi një familje shumë e afërt, veçanërisht unë dhe motra ime. Gjysmën e kohës udhëtojmë së bashku, ndaj gjithçka bëhet shumë më pak e vetmuar”, tha Presley për “People” në atë kohë.

Në korrik, për 27-vjetorin e të birit, Cindy Crawford kishte publikuar në Instagram dy fotografi të tij nga fëmijëria.

“Jam kaq krenare për burrin që je bërë, por për mua do të jesh gjithmonë djali im i vogël! Të dua”, kishte shkruar ajo.

/tvklan.al