Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e sotme (12 Qershor) se zjarri që përfshiu një sipërfaqe pyjore në Qeparo është shuar plotësisht.
Flakët morën përmasa të konsiderueshme për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për banesat dhe një fabrikë vaji.
“Ndërhyrja e menjëhershme nga toka dhe ajri bëri të mundur neutralizimin e zjarrit dhe shmangien e pasojave më të rënda”, njoftoi ministria.
Mësohet se në operacion u përfshi helikopteri Black Hawk i Forcës Ajrore. Ndërkohë në terren ishin të angazhuar zjarrfikësit si dhe punonjës të shërbimit pyjor.
“Falë bashkërendimit mes strukturave të Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror, u arrit të mbrohej jo vetëm mjedisi, por edhe siguria e banorëve dhe pasuria e tyre”, njoftoi ministria.
Gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra të forta ka shumë rrezik për zjarre. Prandaj Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes apelojnë për kujdes të shtuar.
“Çdo zjarr, sado i vogël të duket, duhet raportuar menjëherë, në mënyrë që të shmangen situata të rrezikshme për jetën, pronën dhe natyrën”, thanë dy institucionet në një deklaratë për mediat./tvklan.al












Botërori 2026 
