Pesë miliardë dollarë në vetëm një ditë dhe e gjitha falë një kriptomonedhe.

Këtë javë, xhepat e familjes Trump janë (për momentin vetëm në teori dhe jo në praktikë) shumë më të rëndë se kurrë më parë, madje edhe krahasuar me investimet shumëvjeçare në sektorin e pasurive të paluajtshme.

E hëna, 1 shtator, shënoi debutimin e kriptomonedhës WLFI, që mban emrin e platformës së tregtimit të decentralizuar World Liberty, e nisur nga dy prej djemve të presidentit amerikan, Eric dhe Don Jr., dhe ku vetë biznesmeni konsiderohet “bashkëthemelues emeritus”.

Hapi i parë drejt këtij suksesi financiar për familjen Trump mund të gjurmohet në korrik, kur investitorët e parë të token-it votuan (pozitivisht) për të lejuar tregtimin e monedhës. Kjo, në fakt, hapi procesin e blerjes dhe shitjes së këtij aktivi, i cili deri atëherë kishte mbetur në portofolat (digjitalë) të blerësve të parë që kishin besuar në projekt.

Megjithatë, investitorët nuk mund të shisnin më shumë se 20% të token-ëve që zotëronin. Por edhe kështu, dita e parë e shitjes i lejoi Donald Trump-it të rrisë kapitalin e tij. Ose më saktë, atë të familjes. Në portofolin e Trump-ëve ndodhet mbi një e katërta e totalit të token-ëve (rreth 16 miliardë token). Dhe tregtimi i kriptomonedhës, që nisi pikërisht të hënën, kontribuoi në rritjen e kapitalit të tyre deri në 5 miliardë dollarë.

Të hënën, në momentin e debutimit, token-i u vu fillimisht në shitje me çmimin 30 cent (në momentin e nisjes së projektit, investitorët e parë i kishin blerë për vetëm 1,5 cent), por më vonë gjatë ditës vlera e tij ra në 20 cent. Sipas të dhënave të CoinMarketCap, në ditën e hapjes së tregtimit u shkëmbyen WLFI me vlerë ekuivalente me një miliard dollarë.

Qëndrimi i Trump ndaj kriptomonedhave

Pavarësisht mosinteresimit fillestar, madje edhe armiqësisë ndaj botës së kriptove, opinioni i Trump ndryshoi shpejt para mandatit të tij të dytë. Sipas asaj që kishte treguar vetë (atëherë kandidati) president, shtatorin e kaluar gjatë një takimi virtual në X, ata që ia ndryshuan mendjen ishin pikërisht djemtë e tij, përfshirë më të voglin, Barron. “Ka katër portofola ose diçka të tillë. I njeh këto gjëra në detaje”, kishte thënë Trump.

Interesi i tij për këtë sektor të ri dhe fitimprurës u pa edhe gjatë muajve të fundit, falë miratimit të dy ligjeve, Genius Act dhe Stable Act, që synojnë të rregullojnë këtë sektor financiar, i cili deri atëherë vepronte në kufij të paqartë. Por kriptomonedha “familjare” WLFI nuk është e vetmja që mban vulën e tij: në janar të këtij viti ai nisi një tjetër token me emër domethënës: $TRUMP (me të gjitha shkronjat e mëdha), një “memecoin” (token që nuk bazohet në një blockchain të pavarur si Bitcoin apo Ethereum) i cili u lançua menjëherë pas atij të dedikuar bashkëshortes, $Melania, në këtë rast, me vetëm shkronjën e parë të madhe.

/tvklan.al