Mё 9 maj, Bashkimi Europian nderon ish-ministrin e Jashtёm francez Robert Schuman, qё nё kёtё datё nё vitin 1950 formuloi idenё e BE-së. Qё nga viti 1985, kryetarёt e shteteve dhe tё qeverive vendosёn ta kremtojnё 9 majin si Ditёn e Europёs.

Më 23 korrik 1952 u krijua Komuniteti Evropian për Qymyrin dhe Çelikun, ‘bërthama’ e Komunitetit Ekonomik Europian, që u krijua në vitin 1957-ën me traktatet e Romës. Nga Komuniteti Ekonomik Europian u krijua në fillim të viteve 1990, Bashkimi Evropian.

Montanunion, në të cilin bënin pjesë Franca, Italia, Gjermania, Belgjika dhe Hollanda e Luksemburgu, u propozua nga ministri i atëhershëm i Jashtëm francez Robert Schuman.

Schumann dhe Adenauer hodhën themelet e BE-së

5 vjet kishin kaluar që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe Republika Federale e Gjermanisë nuk kishte festuar as 1-vjetorin e saj, kur ministri i Jashtëm francez Robert Schuman propozoi administrimin e përbashkët të prodhimit të qymyrit dhe të çelikut.

Plani Schuman ishte një revolucion: Një zyrë mbinacionale do të ngarkohej me kompetenca vendimmarrëse!

Marrëdhëniet gjermano-franceze ishin të ngarkuara me mosbesim: A do të binte Gjermania përsëri siç bëri pas Luftës së Parë Botërore në megalomani nacionaliste (ideologji ku një komb e sheh veten si superior ndaj të tjerëve në mënyrë të ekzagjeruar) dhe do të kërcënonte fqinjët e saj? Apo horrori i luftës dhe i vrasjeve do t’u jepte dorë forcave demokratike dhe paqedashëse dhe ato do të mundësonin pajtimin?

“Europa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak. Nga ky vetëdijësim i paguar kaq shtrenjtë, ne duam të ecim në rrugë të reja, që na çojnë në një Evropë të bashkuar dhe në paqe.”

Kështu u shpreh Robert Schuman, një nga pionierët e pajtimit, i cili kishte atdhe Gjermaninë, Luksemburgun dhe Francën dhe kishte përjetuar të dyja luftërat botërore. Schumann kishte lindur në perandorinë gjermane me gjuhë amtare atë të Luksemburgut. Ai jetoi, studioi dhe punoi në Luksemburg, Bon, Mynih, Berlin, Strasburg dhe Metz.

Pas Luftës së Parë Botërore në vitin 1919, rajoni i Alsas-Lorenës iu kalua Francës nga Gjermania dhe Robert Schuman mori nënshtetësinë franceze. Në Francë ai nisi karrierën politike dhe, pavarësisht se fliste frëngjisht me theks gjerman, u ngjit deri në postin e kryeministrit dhe më pas të ministrit të jashtëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë rol, ai ndërmori një nismë që do të ndryshonte historinë e Evropës. Ai propozoi që prodhimi i qymyrit dhe çelikut në Francë dhe Gjermani të vendosej nën një administrim të përbashkët evropian, me qëllim bashkëpunimin dhe shmangien e konflikteve të ardhshme.

Kjo ide, e quajtur më pas Montanunioni, parashikonte edhe qarkullimin e lirë të mallrave pa dogana mes Francës dhe Gjermanisë dhe ishte e hapur për t’u bashkuar edhe vende të tjera. Qëllimi ishte të forcohej bashkëpunimi i qëndrueshëm mes dy vendeve që më parë kishin qenë armiq.

Schuman gjeti mbështetje të fortë nga kancelari gjerman Konrad Adenauer, i cili ndante të njëjtin vizion për pajtim dhe bashkim evropian.

Ideja bazohej në faktin se qymyri dhe çeliku, që më parë ishin përdorur për prodhimin e armëve dhe zhvillimin e luftërave në Evropë, tani duhej të shërbenin si bazë për bashkëpunim.

“Schuman, vizionar i madh evropian”

Plani Schuman dhe krijimi i mëvonshëm i Montanunion-it konsiderohen sot si hapi i parë drejt lindjes së Komunitetit Evropian, sepse në deklaratën e tij, ministri i Jashtëm francez Robert Schuman parashikonte që bashkëpunimi mes shteteve të mos ndalej vetëm te Franca dhe Gjermania, por të zgjerohej gradualisht edhe me vende të tjera evropiane.

Ai besonte se Montanunioni do të shërbente si bazë për krijimin e një bashkimi më të gjerë dhe më të fortë europian. Sipas tij, kjo nismë përfaqësonte fillimin e një federate europiane që ishte e domosdoshme për ruajtjen e paqes në kontinent.

Megjithatë, në fillim të viteve 1950 nuk ishin ende kushtet e duhura për zgjerimin e këtyre ideve. Dy vjet më vonë, Schuman dha dorëheqjen si ministër i Jashtëm, pasi nuk arriti të çonte përpara krijimin e një Bashkësie më të gjerë Europiane. Vetëm rreth 7 vjet më pas, vendet europiane u bënë gati të thellonin bashkëpunimin e tyre përmes Traktatit të Romës.

Pavarësisht vështirësive, idetë e tij u realizuan gradualisht dhe Schuman u nderua më vonë si një nga themeluesit e integrimit evropian, duke marrë edhe postin simbolik të presidentit të parë të Parlamentit Europian.

Konrad Adenauer ka thënë më vonë se Robert Schuman ishte një vizionar i madh evropian që në vitin 1950, kur propozoi Montanunion-in. Sipas Adenauerit, Schuman shihte më larg se të tjerët dhe nisma e tij nuk kishte vetëm arsye ekonomike, por mbi të gjitha ishte një projekt politik për të siguruar paqen në Evropë.

Ai theksoi se Montanunioni ishte hapi i parë drejt një bashkimi gjithnjë e më të thellë europian, i cili sot përfshin 27 shtete dhe rreth 1 miliard qytetarë. Montanunioni si institucion nuk ekziston më. Marrëveshja e tij fillestare e vitit 1952 kishte një afat 50-vjeçar dhe skadoi në vitin 2002. Pas kësaj, rregullat dhe funksionet e tij u integruan në strukturat dhe marrëveshjet e reja të Bashkimit Europian.

/Marrë nga DW