Arritja e play off të Botërorit ishte maja që Shqipëria arriti dhe dështimi i endrrës për tu kualifikuar solli edhe ndryshimin e disa gjërave.

Stafi teknik, lojtarët dhe ambienti kishte nevojë për një frymë dhe epokë të re. Pas 6 muajsh u bë bilanci i parë në një kompeticion.

Pesë fitore dhe një humbje. Edicioni i Nations League për Kombëtaren u kalua me sukses dhe me disa lojtarë të fituar që do të mbajnë për disa ose shumë vite bazat e një skuadre të shëndetshme, me identitet dhe gjithmonë në kërkim të rekordeve të pathyera.

Ndoshta Liga C nuk ishte etaloni matës, por kuptohet qartë se diçka ka ndryshuar për mirë. Por çfarë bëri konkretisht Rolando Maran?

Kur Etrit Berishën dukej sikur e kishim humbur, Maran i shplurosi pluhurin e dorezave. Pritje vendimtare sidomos në dy sfidat e fundit.

Tjetër vendim ishte ai i ndryshimit të skemës. Pa u futur shumë në pjesën tekniko-taktike dhe detaje, secili lojtar është në vendin e vet dhe mund të shprehë potencialin që ka.

Ndoshta tingëllon keq se nuk aktivizoi shumë futbollistë, por Maran i besoi boshtit dhe konfirmoi lojtarët kryesorë të skuadrës.

I gjeti Pilos një rol që të luajë bashkë me Mitajn dhe i dha një liri të pakufizuar Muçit në pjesën e sulmit.

Shfrytëzoi agresivitetin e Ismajlit në mbrojtje dhe i dha besim Rei Manajt se mund të jetë ai bomberi që shënon golat.

Por ajo që duket si një arritje e madhe, është thjesht fillimi i një cikli.

Klan News

/tvklan.al