Deklarata zyrtare nga Berlini, të hënën, 07.09.20, në përgjigje të një pyetjeje të Deutsche Welle-s, në konferencën e rregullt të qeverisë, mund të përmblidhej kështu: “I përshëndesim parimisht të gjitha përpjekjet që bëhen për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por mbështesim sidomos tërësisht përpjekjet ndërmjetësuese të të ngarkuarit të BE-së, Lajçak.” Kështu, pra, zëdhënësi i ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christopher Burger, duke shtuar:  “Përshëndesim edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Israelit dhe Kosovës“

Se përse arritja, që presidenti amerikan, Trump, pasuar nga liderët në rajonin e Ballkanit,  e quan “marrëveshje historike“, nuk u prit me eufori nga Gjermania, nuk ka të bëjë edhe aq me mospajtimet e shumta që ekzistojnë sot mes qeverisë gjermane dhe administrates së Presidentit Trump. Përkundrazi, Gjermania do të gëzohej madje, nëse Shtetet e Bashkuara vërtet do të arrinin ndonjë marrëveshje, thotë një diplomat gjerman në Berlin, në bisedë me DW. 

Marrëveshje apo shprehje dëshirash? 

Gëzimi i Gjermanisë pas marrëveshjes kishte te bënte kryesisht me faktin, qe nuk u be ndonjë “marrëveshje e pistë”, në dëm të viktimave të luftës, me mosdënim ose amnisti për kriminelët e luftës që ende janë të lirë. Por shanset që kjo të ndodhte, mbas formulimit te aktakuzes ndaj presidentit Thaçi, ishin të vogla. 

Mungesa e euforisë gjermane ka të bëjë me faktin, që marrëveshja në radhë të pare nuk ishte marrëveshje, thuhet nga qarqet diplomatike. Kjo, jo vetëm për shkak të formës, siç do të konstatonte, ambasadori Wolfgang Ischinger, në një mesazh në Twitter. 

“Gjë e mire qe  Shtetet e Bashkuara kujdesen për Kosovën dhe Serbinë, Por është e rëndësishme të shënohet se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje mes palëve në Uashington DC, sepse ende nuk ka një njohje reciproke. Mbetet shumë punë për BE-në, Miroslav Lajcak dhe Komisionin e BE-së”, shkruan organizatori i Konferencës së Sigurisë në Mynih. 

Veç formës, ishte edhe përmbajtja, ajo që nga ekspertët e fushës shihet me çudi deri me humor. “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në një analizë të korrespondentit të saj nga Evropa Juglindore, Michael Martens, e zbërthen rezultatin e bisedimeve në Uashington dhe konstaton qysh në fillim se „është e vështirë të sjellësh në një emërues të përbashkët atë që është  nënshkruar të premten në Uashington. Sepse kemi të bëjmë me një potpuri të larmishme deklarimesh qëllimi.”

Potpuri temash 

Martens e ka fjalën këtu sidomos për pikat e dokumenteve të nënshkruara veç e veç nga Hoti e Vuçiç që nuk kishin të bënin fare me rajonin: „Nuk është vetëm pika e Izraelit ne paktin e treshes amerikano-serbo-kosovare që hedh  pyetjen rreth substancës së një marrëveshjeje”, shkruan Martens. Ai kujton se Grenelli më parë ka deklaruar se synimi i tij si ngarkuar për dialogun Serbi-Kosovë, kishte qenë afrimi ekonomik dhe përmirësimi i jetesës së njerëzve të thjeshtë, por Martens mendon se “marrëdhëniet  diplomatike me Izraelin thuajse nuk kanë asnjë impakt ndaj këtyre temave”. 

Akoma më pak pritet të ndikojnë për mirë pikat që kanë të bëjnë me Hisbollahun,  zhvendosjen ose vendosjen e ambasadave në Jerusalem, dekriminalizimin e homoseksualitetit, mosbashkëpunimin me Kinën për rrjetet 5 G etj. Përkundrazi, nga kjo e fundit mund të pritet vetëm frenim i ekonomisë, mendon autori. Sipas Martens, as pikat që flasin për bashkëpunimin ekonomik nuk janë të reja, me përjashtim të mundësisë së aksesit në instrumentet amerikane të financimit të ekonomisë rajonale. Të tjerat, ishin thënë edhe më parë. Martens, në analizën e tij arrin në konkluzionin se nga takimi i javë së kaluar në Uashington nuk u arrit asnjë zgjidhje në konfliktin Kosovë-Serbi. 

BE paralajmëron

Ngjashëm argumentojnë edhe qarqet diplomatike nga Berlini. Veç kësaj, ajo që në Berlin thuhet nën zë, u shpreh të hënën nga zëdhënësi i komisionit të BE-së, për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano. “Nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-se me një ambasadë në Jerusalem,” thavStano. “Çdo hap diplomatik që mund të vërë në pikëpyetje pozicionin e përbashkët të BE-se për Jerusalemin është një shqetësim serioz.”

Por edhe në planin e bisedimeve Serbi-Kosovë, vëzhguesit në Berlin, jo vetëm që nuk shohin ndonjë përparim, por, përkundrazi, janë të pakënaqur edhe me pikën që e detyron Kosovën të heqë dorë për një vit nga aplikimi ne organizatat ndërkombëtare. “Ky është një kthim prapa në procesin e njohjes së Kosovës”, thotë për DW, nje diplomat i rangut të lartë ne Berlin. Gjermania ka qenë lobuesja kryesore në vitin 2018 për ta anëtarësuar Kosovën në Interpol. 

Të pakënaqur janë qarqet nga Berlini edhe për shkak të futjes së Kosovës  në Mini-Schengen. Sepse ka qenë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal struktura e parë e krijuar enkas për këtë qëllim në kuadër të Procesit të Berlinit. E aty përshiheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Presion ndaj BE-se

E përditshmja  e madhe zvicerane, Neue Zürcher Zeitung, në një artikull të korrespondentit nga Stambolli, Volker Pabst, shpreh gjithashtu dyshime për efektin e kësaj arritjeje. Megjithatë, ajo së paku i njeh një meritë Grenellit: Qe po i bën presion Bashkimit Evropian qe te angazhohet me shume ne kete fushe. Rezultat i ketij presioni te terthorte është edhe emërimi i të ngarkuarit të posaçëm Lajçak. ”Marrëveshja e nënshkruar të premten është një hap i vogël në rrugën e gjatë për zgjidhjen e çështjeve të mëdha, sidomos asaj të njohjes së Kosovës nga Serbia”, konstaton Pabst. 

Për Gjermaninë është e qartë që pas këtij takimi, topi do të vazhdojë të mbetet në Bruksel. Aty u mblodhën sërish të hënën Hoti, Vuçiç, Borrell dhe Lajçak dhe diskutuan për çështje konkrete, si personat e humbur, asociacioni i komunave me shumicë serbe, çështjet financiare dhe ato të pronësisë. Asnjë nga këto tema, nuk u prek në dokumentet e Uashingtonit. 

Por edhe qarqet diplomatike nga Berlini janë të vetëdijshme, se për të arritur kompromise dhe përparime nevojiten dhe lëshime, në politikat e zgjerimit. Por kjo është vështirë të realizohet, duke pasur parasysh që BE-ja nuk është në gjendje  t’u japë qytetarëve të Kosovës një të drejtë kaq fillestare: lëvizjen e lirë, Dhe në këtë pikë edhe Grenelli e Ischingeri pajtohen: “Në vend që të ankoheni, përse nuk u jepni shtetasve të Kosovës liberalizimin e vizave – të cilin ju e keni premtuar prej shumë vitesh”, replikon Grenell ndaj kritikës së Ischingerit në Twitter.  “Unë jam shumë dakord,  liberalizimi i vizave për Kosovën duhej dhënë me kohë. Unë kam vite që e them”, justifikohet diplomati gjerman, ish-negociator bisedimesh të mëparshme mes Serbisë dhe Kosovës.

Ischingeri, nuk është i vetmi me këtë mendim. Por një nga vendet që e frenojnë procesin e liberalizimit te vizave është vetë Gjermania. Se kur do të zgjidhet ky problem, këtë askush nuk mund ta thotë./DW