Për jetën e errët të Jeffrey Epstein, abuzimet seksuale dhe rrjetin kriminal që i mbuloi për vite me radhë, drejtësia dhe mediat kanë hetuar gjerësisht. Po aq janë dokumentuar edhe lidhjet e tij me mbretër, kryeministra, regjisorë dhe figura të njohura të showbiz-it. Por ekziston një tjetër aspekt, shumë më pak i eksploruar: Origjina e pasurisë marramendëse që e ktheu një ish-mësues matematike në një financier miliarder dhe mik të elitave globale.
Pikërisht kjo është në qendër të një hetimi të gjatë të New York Times, i bazuar në ditarë personalë, dokumente financiare, dëshmi gjyqësore dhe rrëfime të dhjetëra personave që patën kontakte me Epstein nga fundi i viteve ’70 deri në fillim të viteve 2000. Nga ky mozaik del një portret i qartë: Talenti i vërtetë i Epstein nuk ishte matematika apo pianoja, por aftësia për të manipuluar dhe mashtruar të tjerët.
Nga një festë arti në Wall Street
Historia nis në fillim të vitit 1976. Epstein, atëherë 23 vjeç, jepte mësim matematikë dhe fizikë në një lice prestigjioz në Upper East Side të Nju Jorkut. Në një mbrëmje, pranoi një ftesë për një festë në një galeri arti në Manhattan. Aty, babai i një nxënësi e pyeti pse, me aftësitë e tij në aritmetikë, nuk provonte fatin në Wall Street. Pak ditë më vonë, Epstein firmosi kontratën e parë me bankën e investimeve Bear Stearns.
Një drejtues banke u bind nga tre “cilësi” të të riut: Prejardhja e thjeshtë (Epstein vinte nga një familje punëtore), zgjuarsia dhe aftësia bindëse, si dhe ambicia e hapur për t’u bërë i pasur. Paga fillestare ishte 25 mijë dollarë në vit, rreth 140 mijë dollarë me vlerën e sotme.
Gënjeshtra që u kthyen në avantazh
Shpejt u shfaqën dy tipare të forta të personalitetit të Epstein: Magnetizmi ndaj vajzave të reja dhe instinkti për të kuptuar cilat marrëdhënie duhej të kultivonte e cilat të shfrytëzonte për përfitime të shpejta. U fejua me vajzën e një drejtuesi të lartë të bankës, por njëkohësisht u kap duke gënjyer për CV-në e tij: Studimet në dy universitete kaliforniane rezultuan tërësisht të rreme.
Kur u përball me këtë fakt, Epstein nuk kërkoi falje. Përkundrazi, tha se pa ato gënjeshtra nuk do t’i jepej kurrë një shans. Reagimi i sinqertë dhe arrogant e bindi eprorin. Pasuan promovimet. Në vitin 1980, paga e tij arriti 200 mijë dollarë në vit (rreth 800 mijë sot). Revista “Cosmopolitan” e shpalli “beqarin e muajit”, duke i sugjeruar vajzave të interesuara ta kontaktonin.
Rënie, rikthim dhe mashtrime
Në fillim të vitit 1981, gjithçka u shemb. Bear Stearns hapi një hetim të brendshëm: Epstein akuzohej se kishte dhënë një hua prej 15 mijë dollarësh duke shkelur ligjet federale për brokerët. Banka vendosi ta gjobiste dhe ta pezullonte për dy muaj. Epstein zgjodhi të largohej vetë.
Ajo që i interesonte ishte të ruante kontaktet me klientët e njohur gjatë pesë viteve të fundit. Njëri prej tyre u bë viktima e parë e mashtrimeve të tij: I dha 450 mijë dollarë për një investim në naftë. Epstein i përvetësoi paratë dhe, për më tepër, fitoi edhe çështjen gjyqësore. Paralelisht, nisi një aktivitet për rikuperim kredish, që bashkë me paratë e huazuara i siguruan statusin e milionerit. Bear Stearns e priti sërish, këtë herë si klient të çmuar, nga i cili përfitonte komisione të majme.
Ngritja e shpejtë dhe skemat e dyshimta
Në fund të viteve ’80, ngritja financiare dhe shoqërore e Epstein ishte e pandalshme. Ai hapi zyra në një pallat prestigjioz në Madison Avenue dhe klientët i paguanin deri në 25 mijë dollarë në muaj (rreth 70 mijë sot). Ndërkohë, partneri i tij po ndërtonte një skemë piramidale gjigante, që më vonë do t’i sillte një dënim me 20 vite burg.
Edhe praktikat e Epstein nuk ishin shumë më të pastra: Kërkonte investime milionëshe, premtonte fitime të shpejta dhe i mbante për vete. Në vitin 1988, pasuria e tij kishte arritur në 15 milionë dollarë.
Takimi vendimtar me Les Wexner
Një nga takimet më të rëndësishme të jetës së Epstein ishte ai me Les Wexner, miliarderin pronar të Victoria’s Secret. U njohën rastësisht në një fluturim drejt Floridës.
Epstein e bindi Wexner të shkarkonte asistentin që i kishte prezantuar dhe t’i besonte atij administrimin e një pjese të madhe të pasurisë.
Për vite me radhë, Wexner ishte klienti i vetëm i Epstein. Ai nuk kishte pagë fikse, por tërhiqte shuma që i konsideronte “të përshtatshme” nga llogaritë, shpesh dhjetëra miliona dollarë.

Jeta luksoze dhe lidhjet politike
Me këto para, Epstein nisi një jetë luksi ekstrem. Bleu një vilë 2.5 milionë dollarëshe në Florida, pak kilometra larg Mar-a-Lago, rezidenca e Donald Trump, me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë. Në Nju Jork paguante 15 mijë dollarë qira mujore, udhëtonte me avionë dhe helikopterë privatë dhe dhuronte dhjetëra mijëra dollarë për deputetë e senatorë, duke ndërtuar lidhje personale me ta.
Në vitin 1990 njohu Ghislaine Maxwell. Dy vjet më vonë, lidhja e tyre ishte publike. Pikërisht atëherë datojnë edhe rastet e para të abuzimeve ndaj vajzave shumë të reja. Ndërsa në publik, rrethi i njohjeve të Epstein zgjerohej. Në shkurt 1993 ai u ftua në Shtëpinë e Bardhë, pak javë pas ardhjes në pushtet të Bill Clinton. U pranua në Komisionin Trilateral, nisi të frekuentonte Harvardin, ku dhuroi qindra mijëra dollarë dhe u lidh me figura si Alan Dershowitz dhe Larry Summers.
Ishulli dhe fundi i një kapitulli
Hetimi i New York Times mbyllet në vitin 1998, kur Epstein, tashmë me një pasuri mbi 100 milionë dollarë, bleu ishullin Little St. James në Karaibe. Vendndodhja, në Ishujt e Virgjër Amerikanë, i siguronte avantazhe të mëdha fiskale dhe, sipas hetuesve, një vend ideal për të tërhequr viktimat.
Që prej vdekjes së tij në burg në vitin 2019, shumë fakte janë zbuluar. Por jo të gjitha. Departamenti Amerikan i Drejtësisë disponon mijëra faqe dokumentesh dhe fotografish. Një pjesë e vogël e këtyre “Epstein Files” është publikuar së fundmi, ndërsa Kongresi ka urdhëruar që i gjithë materiali të bëhet publik deri më 19 dhjetor. Çështja Epstein, edhe sot, mbetet larg mbylljes.
Shkrim nga Corriere della Sera












Botërori 2026 
