Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një destinacion mjaft tërheqës. Falë një deti që është për t’u pasur zili, çmimeve më të përballueshme, vendi i shqiponjës dykrenore po kthehet në një nga destinacionet më të njohura të momentit. Kështu shkruan e përditshmja italiane “ Si Viaggia”.

Në artikull thuhet se jo vetëm deti padyshim, por kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana mbetet ndër vendet që nuk duhet lënë pa u vizituar.  Kryeqyteti është plot me atraksione dhe ka mundur të ndërthurë dëshmitë e së kaluarës së tij me modernitetin.

Një qytet që përfaqëson mirë shpirtin e popullit shqiptar dhe që po punon për të lënë pas periudhat e tij më të vështira, duke e parë me shpresë të ardhmen.

Nisur nga pozicioni gjeografik, ai ndodhet në qendër të vendit, rreth 25 km nga bregdeti i Durrësit, kryeqyteti shqiptar dallohet për klimën mesdhetare. Në stinët e ndërmjetme, në përgjithësi mund të shijoni ditë të bukura, me temperatura të këndshme për të qëndruar jashtë pa vuajtur nga vapa e zjarrtë e korrikut apo gushtit.

“ Si Viaggia” shkruan se Kulla e Sahatit, tanimë i kthyer në një atraksion turistik , duhet vizituar për te admiruar pamjen e qytetit nga lart. Një tjetër zone e kryeqytetit që nuk duhen lënë pas është edhe “ish-Blloku”, një nga zonat më të bukura të Tiranës.

Një simbol në një farë mënyre i rilindjes së tij pas viteve të vështira të shekullit të kaluar, “Blloku”, plot bare, klube dhe restorante sipas të përditshmes italiane mbetet ndër më të preferuarit për të rinjtë ku mund të konsumojnë ushqimin të veçantë dhe pijet.

 “Si Viaggia” sugjeron një vend tjetër mjaft interesant, që ia vlen të vizitohet është Muzeu i Shërbimeve Sekrete  qe njihet si Shtëpia e Gjetheve, për shkak të bimëve ngjitëse në fasadën e ndërtesës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë selia e Gestapos naziste, më pas vendi nga ku autoritetet komuniste kontrollonin jetën e shqiptarëve. Këtu ndodhen edhe disa nga pajisjet që përdoreshin për të spiunuar qytetarët.

Klan News