Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu vazhdon të raportojë këtë të martë, 11 nëntor, në komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend, duke u fokusuar veçanërisht te siguria në shkolla.
Sipas ministres, fenomeni i dhunës në shkolla kërkon një përpjekje të përbashkët mes shoqërisë, shkollave dhe policisë për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve. Për këtë qëllim, janë ndërmarrë veprime operacionale, parandaluese dhe fushata ndërgjegjësimi me nxënësit, prindërit dhe mësuesit.
“Fenomeni i dhunës në shkolla i përket shoqërisë, shkollave, policisë, por mbi të gjitha është një përpjekje e përbashkët e të gjithë neve për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
Janë marrë një sërë veprimesh operacionale, parandaluese dhe sensibilizuese për goditjen e rasteve problematike për shpërndarjen e lëndëve narkotike në shkolla, të tilla si kontrolle periodike të befasishme pranë zonave të shkollave, fushata ndërgjegjësimi me nxënësit, prindërit dhe mësuesit, me oficerët për shkëmbimin e informacioneve për rastet e dyshuara.”, tha Koçiu.
Më tej, ministrja shtoi se me Ministrinë e Arsimit është arritur marrëveshja për 244 oficerë të rinj të sigurisë në shkolla, që do të punojnë ngushtë me mësuesit përtej të tjerave, edhe për të parandaluar shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe rastet problematike.
“Me Ministrinë e Arsimit, kemi arritur marrëveshjen për 244 oficerë të rinj që i shtohen trupës së oficerëve për sigurinë në shkolla, të cilët bashkëpunojnë me mësuesit.
Patjetër që oficerët e sigurisë janë një hallkë e rëndësishme, dhe bashkëpunimi i tyre me prindërit dhe punonjësit e policisë është i domosdoshëm.”, vazhdoi ministrja.
Ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të oficerëve të sigurisë me prindërit dhe punonjësit e policisë, si dhe forcimin e protokolleve të komunikimit për trajtimin e vazhdueshëm të këtyre fenomeneve.
Mes të tjerash, Koçiu gjithashtu përmendi projektin e mbështetur nga qeveria suedeze për forcimin e policimit në komunitet, i cili ka kryer sondazhe mbi besueshmërinë e policisë. Rezultatet tregojnë se 65% e qytetarëve e vlerësojnë punën e policisë si të mirë ose shumë të mirë, 62% i mbështesin veprimet e policisë, 82% ndihen të sigurt kur ecin në lagjet e tyre, dhe 64% do të thërrasin policinë në rast grabitjeje.
/tvklan.al












Botërori 2026 