Forcat e rendit kanë vijuar kontrollin e rreptë të gjithë vijës bregdetare me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve. Policia kufitare ka bllokuar këtë të shtunë 16 mjete, lundruese në disa zona të bregdetit. Në Ksamil, Durrës, Shëngjin dhe Velipojë janë bllokuar 12 jet ski, 2 skafe dhe 2 gomone.

6 nga këto mjete janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.  Drejtuesit tyre janë ndëshkuar secili, me masë administrative 100 000 lekë.

Ndërsa drejtuesit e 10 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masa administrative 10 000 – 20 000 lekë, pasi kishin mungesë dokumentacioni. 

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë. 

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.

Klan News