Në 900 stabilimente të prodhimit të produkteve ushqimore, prej javës së shkuar kanë nisur kontrollet për të parë nëse përmbushin kushtet e sigurisë ushqimore, një detyrim që buron nga procesi i anëtarësimit në BE. Prej vitit 2025, raporte kontrolli në stabilimentet e prodhimit shtazor kryhen edhe nga grupe të ardhura nga Brukseli për llogari të Komisionit Europian. Nga kontrollet paraprake, vetë kryeministri pranon se shumë pak prej tyre i plotësojnë standardet që kërkon tregu europian.

“Natyrisht që mes tyre ka disa që me pak gjëra mund t’i plotësojnë standardet dhe një shumicë tjetër që do të duhet të bëjë më shumë. Rreziku i mbylljes ose përjashtimit nga tregu i stabilimenteve ushqimore në ditën e anëtarësimit është i lartë. Kjo kërkon, në radhë të parë, vetëdijesim dhe, në radhë të dytë, informim për të kuptuar ekzaktësisht: unë kam këtë pikë, bëj këtë aktivitet, çfarë duhet të bëj që ky investim të mos humbasë dhe si do të më ndihmojë qeveria shqiptare, strukturat e shtetit, që unë t’ia dal në këtë proces?”.

Siguria ushqimore duket hallka më e dobët e gjithë këtij procesi, gjë që pranohet edhe nga kryeministri, por edhe nga ambasadori i delegacionit të Komisionit Europian, të pranishëm në një takim me operatorët e sektorit.

“Harmonizimi me standardet e BE hap derën në një nga tregjet më të mëdha në botë, por kërkon praktika të rrepta higjiene, investime në aparatura dhe gjurmueshmëri të lartë. Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë dhe për këtë i kemi dhënë 12.5 milionë euro me anë të projektit BE për sigurinë ushqimore. Integrimin në BE e shohim si përpjekje të përbashkët. Shqipëria ka bërë një përparim të rëndësishëm, por hapat e ardhshëm do të jenë vendimtarë. 6 kushtet përmbyllëse për kapitullin 12 për sigurinë ushqimore janë të qarta dhe përmbushja e tyre do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm politik, lidership të fortë dhe institucional”, tha ambasadori i BE, Silvio Gonzato.

“Ajo që e pret sipërmarrjen me këtë proces të anëtarësimit në Bashkimin Europian është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, një horizont i ri mundësish për ata që do të jenë të përgatitur, nga ana tjetër një humnerë falimentimi për ata që nuk do të jenë të përgatitur. Ky është realiteti”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Thertoret duket të jenë subjektet ku hendeku mes asaj që janë dhe standardeve që kërkon BE është i vështirë për t’u kapërcyer. Asnjë thertore sot nuk e plotëson këtë proces. Edhe stabilimentet e qumështit dhe nënprodukteve të tij kanë diferenca me kushtet që kërkon tregu europian.

“Nëse do të ishim sot në BE, qumështi nuk do t’i mbijetonte dot kërkesës së standardeve, sepse është i gjithë zinxhiri që duhet të mbijetojë”, shtoi kryeministri.

Sipërmarrësve, Rama u premton bashkëpunim dhe investime në rrjetin e laboratorëve të kontrollit të cilësisë dhe në pikat e kontrollit kufitar, të cilat aktualisht mbeten një pikë e dobët.

Kryeministri hodhi poshtë deklaratat dezinformuese, duke theksuar se Shqipëria në procesin e integrimit nuk zbaton thjesht urdhrat e Brukselit, por ka kërkuar më shumë kohë për t’u përshtatur me kërkesat e sigurisë ushqimore europiane.

Gjithsesi, Rama kujtoi se më shumë se për anëtarësimin, sfida e sigurisë ushqimore duhet fituar për qytetarët shqiptarë që meritojnë të njëjtat standarde si në vendet anëtare të BE-së.

Tv Klan

/tvklan.al