4 nëntor 2026 – Aktorja dhe regjisorja Adelina Muça ka ndarë një rrëfim personal, duke treguar një periudhë të vështirë të jetës së saj, kur u përball me një shqetësim shëndetësor që e kishte bërë të dyshonte për diçka jo të mirë.
E ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ajo foli për përvojën që përjetoi gjatë realizimit të filmit “Ne të treja”, me regji të Suela Bakos, dhe për mënyrën se si një skenë e filmit u ndërthur me frikën që po kalonte në jetën reale.
Muça tregoi se, pas disa dyshimeve për shëndetin e saj, iu nënshtrua kontrolleve mjekësore dhe, për të marrë një vlerësim më të specializuar, iu desh të udhëtonte jashtë Shqipërisë. Në atë periudhë, ajo kërkoi mirëkuptimin e drejtueses së Teatrit “Aleksandër Moisiu”, pasi ishte në nisje të një projekti artistik. Megjithatë, një angazhim që nuk mund ta linte ishte filmi “Ne të treja”.
“Në fakt, me thënë të drejtën, para disa kohësh unë dyshova për diçka jo të mirë në shëndetin tim. Bëra disa kontrolle dhe nuk isha e sigurt. Dhe për t’u mjekuar apo për të marrë një kontroll më të mirë duhet të udhëtoja jashtë Shqipërisë. Në atë moment sigurisht kërkova leje dhe mirëkuptim edhe nga drejtoresha e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, të cilën e falënderoj, sepse ne ishim që në nisje të një projekti, por unë nuk e dija se si do të ishte rrugëtimi”, rrëfeu aktorja.
Ajo tregoi se xhirimet e filmit zgjatën vetëm tri ditë dhe nuk dëshironte të hiqte dorë nga ky projekt, edhe pse në atë moment po përjetonte pasiguri dhe ankth për atë që mund të zbulonin kontrollet mjekësore.
“Dhe e vetmja gjë që nuk munda të lija ishte pikërisht projekti i Suela Bakos, e cila është regjisore e filmit “Ne të treja” që del shumë shpejt. Nuk mund ta lija sepse ishin xhirimet e filmit dhe ishte për tre ditë xhirim, domethënë mua nuk më bënte problem”, tha ajo.
Por ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të fortë emocionalisht ishte skena e parë që iu desh të interpretonte. Sapo kishte marrë lajmin se mund të kishte një problem shëndetësor, Adelina u përball në sheshxhirim me një situatë që lidhej me vdekjen e një personazhi dhe përgatitjet për ceremoninë e tij mortore.
Ishte një përkim që e tronditi emocionalisht dhe e bëri ta përjetonte skenën shumë më ndryshe nga sa mund ta kishte imagjinuar gjatë leximit të skenarit.
“Kisha lexuar skenarin, pjesën time, dhe kur vajta ditën e parë, duke qenë se unë sapo kisha marrë lajmin që mund të kisha diçka jo të mirë. Gjëja e parë që pashë ishte situata e një njeriu i cili sapo kishte vdekur dhe duhet të bënim gati shtëpinë, pastaj duhej larë trupi. Ishte pjesë e filmit dhe i thashë Suelës: ‘Ku më gjete në këtë moment?’ Sepse më dukej sikur po i paraprija ndoshta asaj që mund të vinte më pas për veten time”, tregoi Muça.
Një përjetim që, siç u kuptua nga rrëfimi i saj, e kishte bërë të përballej njëkohësisht me emocionet e rolit dhe frikën për të ardhmen e saj. Por pas gjithë kësaj, aktorja theksoi se është mirë me shëndet dhe nën kontroll.
“Jam shumë mirë! Në kontroll, por jam shumë mirë”, u shpreh ajo.
Muça pranoi se periudha e pritjes për të kuptuar se çfarë po ndodhte me shëndetin e saj ishte veçanërisht e vështirë. Pasiguria, mendimet për të ardhmen dhe shqetësimi për mënyrën se si do të përballohej gjithçka, e shtynë të merrte vendimin për t’u shkëputur përkohësisht nga puna.
“Për momentin jam në një fazë që kam nevojë për një rikuperim, qoftë edhe shpirtëror, qoftë edhe psikologjik dhe për momentin jam në një pauzë. E kërkova vetë këtë gjë, sepse ishte pak e rëndë ajo pritja se çfarë ke ti, të vinin shumë gjëra në mendje, si do të përballohej, si do të shkonte”, rrëfeu aktorja.
Ajo theksoi se kjo përvojë ka një peshë të veçantë emocionale, sidomos kur je prind dhe mendon për fëmijët. Sipas saj, përballja me mundësinë e një diagnoze të rëndë është një proces që nuk ndikon vetëm fizikisht, por edhe në gjendjen psikologjike të njeriut.
Një tjetër këshillë e rëndësishme që mori nga mjeku ishte shmangia e stresit dhe përpjekja për të bërë një jetë sa më të qetë. Kjo e ka bërë Muçën të kuptojë se kujdesi për veten duhet të jetë përparësi në këtë periudhë.
“Një gjë që më tha doktori ishte fakti që meraku i vetëm që kam, tha, është stresi yt. Duhet të bësh një jetë të qetë”, tregoi ajo.
Për të marrë një vlerësim më të specializuar, aktorja vendosi të ndiqte kontrollet dhe konsultat mjekësore në Turqi. Ajo tregoi se falë ndihmës së disa mikeshave arriti të lidhej me një përfaqësuese që e ndihmoi të organizonte konsultat me mjekë dhe profesorë në spitale atje. Muça u shpreh veçanërisht mirënjohëse për mbështetjen dhe kujdesin njerëzor që mori gjatë këtij procesi.
“Protokolli atje, është i jashtëzakonshëm. Domethënë, unë po e ndjek atje, në Turqi. Sigurisht që është pak e vështirë edhe ekonomikisht, nuk është aq fort i përballueshëm”, tha aktorja.
Megjithatë, pas konsultave, ajo duket se ka gjetur më shumë qetësi për situatën e saj. Muça bëri të ditur se pas gjashtë muajsh do të kryejë një tjetër kontroll për të vlerësuar ecurinë dhe për të parë se si paraqitet gjendja shëndetësore.
“Fatmirësisht më thonë që pas gjashtë muajsh do të bëjmë një kontroll tjetër për të parë ku jemi. Dhe të paktën jam e qetë, domethënë nuk jam te ajo pjesa që ‘obobo, kam një gjë, kam një gjë të keqe’”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, aktorja pranoi se ekziston mundësia për një ndërhyrje, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“Them që padyshim do të ketë një ndërhyrje. Do të ketë nevojë për një ndërhyrje. Patjetër do të ketë nevojë për ndërhyrje”, deklaroi Muça.
/tvklan.al












Botërori 2026 