Silvana Rusi është një emër i ri në muzikë, por ka nisur të lërë hapat e saj në të që herët. E tërhequr gjithmonë nga sfidat duke u bërë pjesë e tyre, e kompeticioneve të rëndësishme si “Star Academy”, “X Factor” apo “Kënga Magjike”, Silvana ka treguar gjithnjë forcën e vokalit të saj.

Ndonëse ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare, për Silvanën është një pendesë që ndryshoi mendim në momentin e fundit për të ndjekur shkollën e kantos, por kjo nuk e pengoi në sukseset e saj. E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ajo vjen për të prezantuar këngën e saj të re, një “remake” i këngës popullore “Çohu Rexho” në një version rrok. Ajo nuk ngurron të këndojë një copëz të këngës së saj në studio.

Rudina Magjistari: Muzika është e ardhmja jote, mendon që në muzikë do ta kesh impenjimin tënd kryesor?

Silvana Rusi: Po sigurisht. Përpos muzikës, edhe kam studiuar dhe e shoh si profesion, por edhe si pasion.

Rudina Magjistari: Ti ke studiuar Gjuhë-Letërsi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, ndërkohë që kur ke zgjedhur këtë degë, si e imagjinoje të ardhmen tënde, çfarë do të bëheshe kur të mbaroje studimet?

Silvana Rusi: Prapë këngëtare.

Rudina Magjistari: Që atëherë e kishe ndarë mendjen që do ishe këngëtare?

Silvana Rusi: Po, thjesht doja që të studioja dhe të plotësoja dëshirat e mamit.

Rudina Magjistari: Pra, edhe dega paska qenë zgjedhja e mamit.

Silvana Rusi: Dega e parë po.

Rudina Magjistari: Pse nuk provove të studioje ndoshta diçka në muzikë?

Silvana Rusi: E kam tentuar kur kam qenë në adoleshencë, por ka qenë fiks një javë përpara konkurrimit që thjesht jam tërhequr, nuk e di as vetë pse.

Rudina Magjistari: Megjithatë sërish e gjete rrugën tënde për të depërtuar në treg. Kthehemi te kënga. Pse zgjodhe pikërisht këtë këngë?

Silvana Rusi: Ç’është e vërteta, unë me origjinë jam nga Dibra dhe ka qenë një insistim i familjes time që “bëje një këngë veriore”, mirëpo ishte pak thikë me dy presa për mua sepse gjatë gjithë kohës isha në skena me këngë moderne derisa erdhi momenti dhe thashë “do ta këndoj në versionin tim”.

Rudina Magjistari: Si është melodia e variantit origjinal të kësaj kënge?

Silvana Rusi: Është fiks ajo që unë kam kënduar, vija melodike i qëndron origjinales.

Rudina Magjistari: Ti vendose që ta risjellësh për t’i dhënë një lloj rifreskimi, për ta rijetësuar?

Silvana Rusi: Orkestrimi është ai që ka ndryshuar, ndërsa vija melodike dhe teksti jo sepse të gjithën e ka te teksti. Kam zgjedhur këtë këngë sepse në ambientet ku unë këndoj live, ishte një këngë që e donin shumë dhe e zgjodha meqë ishte veriore. Kishte plot këngë që mund t’i zgjidhja, por kjo më goditi edhe mua./tvklan.al