Konfederata e Përgjithshme e Punës, një ndër sindikatat më të mëdha në Francë ka bërë thirrje për demonstrata masive dhe greva për t’i bërë presion Presidentit Emmanuel Macron që t’i kërkojë kreut të Partisë “Franca e Papërkulur” Jean Luc Melenchon që të formojë qeverinë e re.

Sophie Binet, sekretarja e përgjithshme e sindikatës në një intervistë për një media franceze u shpreh se nëse Macron nuk lejon që koalicioni i majtë Fronti i Ri Popullor të formojë qeverinë e re atëherë vendi do të zhytet në një kaos total.

Fronti i Ri Popullor fitoi shumicën e vendeve, por nuk arriti një shumicë të plotë për të qeverisur vetë. Tre partitë kryesore të aleancës, e majta e “Franca e Papërkulur”, Socialistët dhe të Gjelbërit, i kanë kërkuar presidentit t’u drejtohet atyre për të formuar qeverinë e re.

Binet tha se presidenti duhet të lejojë Frontin e Ri Popullor të formojë qeverinë e re, megjithëse aleanca e majtë nuk ka propozuar ende një kandidat për kryeministër për shkak të ndarjeve të brendshme. Ajo u bëri thirrje anëtarëve të sindikatave të dalin në rrugë dhe të bashkohen në mitingje.

Kjo sindikatë nuk përjashtoi protesta edhe përgjatë Lojrave Olimpike në Paris që nisin për 15 ditë dhe ka bërë thirrje për greva të mundshme nga punonjësit e shërbimeve publike nga korriku deri në shtator.

Gjithashtu edhe sindikata të tjera në Francë kanë shprehur shqetësim për hezitimin e Macron për të emëruar një kryeministër të ri, qeveria e të cilit mund të fillojë të trajtojë problemet e punëtorëve.

Macron i ka kërkuar kryeministrit të tij, Gabriel Attal, që të vazhdojë të merret me punët e përditshme, por ky i fundit ka deklaruar se synon të parandalojë formimin e një qeverie të udhëhequr nga partitë e ekstremit të djathtë ose të ekstremit të majtë, pasi zgjedhjet e parakohshme nuk arritën të prodhonin një shumicë parlamentare.

Vitin e kaluar, sindikatat organizuan protesta masive në përpjekje për të ndaluar qeverinë e Macron të rriste moshën e pensionit.

Klan News