14 shtator 2026- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania do të vijojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke paralajmëruar se lufta mund të ketë hyrë në një periudhë veçanërisht të rëndësishme.

Gjatë një konference për media në Finlandë, pas një samiti të nivelit të lartë evropian për Arktikun, Merz theksoi se Rusia nuk po zhvillon vetëm luftë kundër Ukrainës, por po ushtron presion edhe ndaj vendeve evropiane përmes sulmeve hibride dhe operacioneve të ndikimit.

Sipas tij, Evropa mund të përballet së shpejti me një nga periudhat më vendimtare për sigurinë dhe paqen në kontinent.

“Me shumë gjasa, po hyjmë në javët ose muajt më vendimtarë për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në kontinentin tonë”, deklaroi kancelari gjerman.

I pyetur nëse qeveritë evropiane do të mund ta ruajnë mbështetjen për Kievin, në një kohë kur partitë kundër ndihmës për Ukrainën po fitojnë më shumë mbështetje, Merz tha se është i vetëdijshëm për kundërshtimet që ekzistojnë.

Ai nënvizoi se debati për vazhdimin e ndihmës nuk po zhvillohet vetëm në Gjermani, por në shumë vende të Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, mbështetja për Ukrainën është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e këtij vendi, por edhe për sigurinë e vetë Evropës.

Merz u shpreh se qeveritë evropiane duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuara dhe të vendosura deri në përfundimin e luftës.

“Do të bëj gjithçka që mundem për të ruajtur mbështetjen tonë dhe për t’i bindur njerëzit se është në interesin tonë ta bëjmë këtë”, tha ai.

Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për pasojat që mund të ketë një sukses i Rusisë në luftë.

“Nëse Rusia ia del mbanë, kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme dhe të paprecedenta për të gjithë ne, përfshirë Gjermaninë”, u shpreh Merz, duke shtuar se nuk është i gatshëm të ndryshojë qëndrimin e tij.

Ai e cilësoi mbështetjen ndaj Ukrainës si një “detyrim historik” të Evropës për të mbrojtur paqen dhe lirinë në kontinent.

Ndërkohë, kundërshtimet ndaj dërgimit të armëve dhe ofrimit të ndihmës financiare për Ukrainën janë shtuar në disa vende evropiane.

Në Gjermani, partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila kundërshton dërgesat e armëve dhe mbështetjen e gjerë financiare për Kievin, shënoi rezultat të lartë në zgjedhjet rajonale të 6 shtatorit në Saksoni-Anhalt, duke marrë 43,8 për qind të votave.

Qëndrime të ngjashme kundër ndihmës për Ukrainën janë forcuar edhe në debatet politike në Francë, Sllovaki, Çeki dhe Hungari.

Gjermania mbetet një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Ukrainës në Evropë që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

/tvklan.al