Ministri Gonxhe pret 50 kompani, fokusi te energjia dhe turizmi

Në kuadër të programit “Vision 2030” Shqipëria mirëpriti 50 sipërmarrës të Arabise Saudite të cilët e shohin vendin tonë si tepër të përshtatshëm për investimet e tyre. Sipas ministrit Blendi Gonxhe, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë për të tërhequr investimet e huaja.

Blendi Gonxhe (Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit): “Shqipëria ka bërë një sërë hapash para në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes për të tërhequr investitorët e huaj.  Gjithashtu vendi ynë ka mjaft potenciale për të investuar në turizëm, energjinë e pastër dhe në infrastrukturë.”

Gonxhe ndër të tjera u shpreh se dhe zhvillimi i Teknologjisë së Informacionit mbetet një pikë e rëndësishme edhe në rajon.

Blendi Gonxhe (Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit): ”Shqipëria po rezulton si lider në Rajon për Teknologjinë e Informacionit, kjo vihet re nga numri i madh i start up-eve dhe fuqisë punëtore në këtë sektor. Edhe fokusi i qeverisë ka qenë për të mbështetur këtë fushë.”

Nga Këshilli shqiptar i Biznesit Abdulrahman Al- Mufarreh u shpreh se synimi mes dy vendeve është arritja e shkëmbimeve tregtare në 5 mln dollarë brenda 4 vjeçarit të ardhshëm.

Abdulrahman Al- Mufarreh: Mendoj që Këshilli i Biznesit e ka nisur punën fuqishëm dhe sfida është të arrijmë objektivat që kemi vendosur me marrëveshjet e viti 2019 të cilat shmangin taksimin e dyfishtë dhe evazionin. Duam që shkëmbimet tregtare të arrijnë në 5 mln dollarë deri në vitin 2028, pasi për ne është i rëndësishëm konsolidimi i marrëdhënieve me vendet mike.

Deri më tani në vendin tonë operojnë mbi 60 kompani nga Arabia Saudite dhe volumi i shkëmbimeve tregtare arrin në 44.5 mln euro.

Klan News