Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në 10 shtator pamje nga mbledhja që zhvilloi gjatë ditës së djeshme me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste.

Në videon e shpërndarë nga kreu i qeverisë, drejtuesit politikë kanë raportuar në lidhje me problematikat e qytetarëve.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi në fjalën e tij deklaroi se tashmë kemi një sistem, që e dëgjon ankesën dhe e çon përpara. “Kemi një sistem, që e dëgjon ankesën dhe e çon përpara. Inteligjenca Artificiale na jep mundësinë që sapo të shtrohet problemi, të gjenerohet e-maili, që ngarkohet dhe me referencat ligjore, e gjen vetë informacionin se kujt institucioni i dërgohet”, tha Klosi.

Ministri për Pushtetin Vendor Ervin Demo deklaroi se takimet janë pritur shumë mirë dhe se kemi tashmë edhe sukseset e para nga nismat e reja.

“Takimet në terren janë pritur shumë mirë. Plus ne kemi dallëndyshet e para të suksesit. Jam i bindur që nga java në javë do formësojmë më shumë”, u shpreh Demo.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në fjalën e saj deklaroi se nuk priste që të vinin kaq shumë njerëz në takimet e organizuara. “Realisht nuk prisja që të vinin menjëherë kaq shumë njerz aq shpejt, por është dëshira për të ardhur, për të folur dhe për të dëgjuar e për të takuar”, tha Kumbaro.

Ndërkaq, deputetja Ogerta Manastirliu u shpreh se Prania Besnike është nisma, që njerëzit e kanë pritur. “Prania Besnike është ajo që njerëzit kanë pritur dhe kanë ngritur pritshmëritë e tyre”, deklaroi ajo.

Nga ana e saj, deputetja Belinda Balluku theksoi se janë administruar 262 ankesa dhe se zëri i qytetarëve po dëgjohet. “Kemi administruar 262 ankesa deri tani. Kemi bërë 14 dëgjesa, pasi kanë qenë të gjithë deputetët në terren. Kemi takuar rreth 300 qytetarë”, u shpreh Balluku.

Drejtuesi i qarkut të Lezhës Ermal Nufi bëri një bilanc, për atë që është bërë në lidhje me nismën e Pranisë Besnike.

“Kryeministër, në qarkun e Lezhës janë zhvilluar tre takime të Pranisë Besnike. Deputetët kanë 34 ankesa. Çështjet kryesore lidhen me elektricitetin, rindërtimin, me legalizimet dhe nevoja për të ndërhyrë në infrastrukturë rrugore, kryesisht në rrugë e ura”, tha Nufi.

Deputeti Ulsi Manja deklaroi se me këtë nismë, hallet e qytetarëve shkojnë në tavolinën e kryeministrit, gjë që nuk ka ndodhur më herët. Ndërsa deputeti Bledar Çuçi theksoi se ka shpërndarë për deputetët një formular të unifikuar për mënyrën sesi do të merren shqetësimet.

Fjalën e mbajtën edhe përfaqësuesit socialistë Arbjan Mazniku, Erion Malaj, Enea Karakaçi etj. Problematikat që u shtruan më së shumti kishin të bënin me legalizimet, infrastrukturën, energjinë elektrike.

Kryeministri Rama në fund të mbledhjes deklaron se Prania Besnike mbahet pa praninë e kamerave, edhe që qytetarët të mund të qajnë një hall, pa u ndjerë në siklet.

Mbledhja e kryesocialistit Edi Rama me përfaqësuesit e lartë të PS-së u zhvillua gjatë ditës së djeshme, ku u diskutua për Praninë Besnike, një format që dërgon deputetët socialistë në bazë, për të dëgjuar problematikat qytetare.

Në kuadër të shërbimeve të reja për qytetarët, kryeministri Edi Rama prezantoi në Pogradec edhe platformën “PasqyrëAlbania”, e cila synon të përmirësojë mënyrën e trajtimit dhe ndjekjes së problematikave të raportuara nga qytetarët.

Platforma do të mbështetet në dy komponentë kryesorë: “Flamingo Albania” dhe “Radar”. Përmes “Flamingo Albania” do të evidentohen ankesat, kërkesat dhe çështjet e qytetarëve që kanë mbetur pa zgjidhje nga institucionet e administratës publike. Këto raste do të regjistrohen dhe do t’u përcillen strukturave përgjegjëse për shqyrtim dhe ndërhyrje.

Në anën tjetër, “Radar” do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin ecurinë e çështjes së tyre. Ata do të kenë mundësi të informohen në kohë reale se cili institucion po merret me kërkesën, në çfarë etape ndodhet procesi dhe sa ka avancuar zgjidhja e problemit.