Goli i anuluar i Kroacisë në fund të përballjes me Portugalinë ka shkaktuar debate të shumta në botën e sportit. Debutimi i teknologjisë së avancuar “Connected Ball” pati ndikim vendimtar, pasi Gvardiol shënoi golin që do i jepte barazimin 2-2 dhe do e dërgonte sfidën në shtesë. Teksa futbollistët kroatë kishin nisur festën, gjyqtari norvegjez Espen Eskås u thirr nga VAR për të rishikuar aksionin. Pamjet televizive nuk ishin të mjaftueshme për të përcaktuar nëse Matanoviç kishte prekur topin me kokë përpara se ai të shkonte te Mario Pašaliç, i cili ndodhej në pozicion jashtë loje. Pikërisht në atë moment hyri në funksion teknologjia e re e topit inteligjent. Në ekranet televizive u shfaq një grafik me një valë të vogël, që tregonte me saktësi momentin kur Matanoviç kishte prekur topin. Ky sinjal elektronik konfirmoi pozicionin jashtë loje të Pašaliçit dhe goli u anulua, duke vulosur eliminimin dramatik të Kroacisë.
“Topat tani kanë një çip dhe është shumë e qartë. Kjo është arsyeja pse ndërhyn VAR. Pati dy prekje. Ishte prekja e Matanoviç dhe prekja e Renato Vega. Sensori i topit tregon se topi u prek. Dhe në atë moment Pašaliç ishte në pozicion jashtë loje. Pra, përpara se vendimet e gjyqtarëve të ishin kaq të vështira, nuk mendoj se ky është një nga ato shembuj. Teknologjia ndihmon lojën, sepse ai ishte në pozicion jashtë loje”.
Për trajnerin kroat, Zlatko Daliç, dëshpërimi është i madh për mënyrën se si shkoi ndeshja.
“Rikthehesh dhe shënon atë gol në minutën e fundit dhe mendon se është një gol i vlefshëm, por ata e anulojnë. Ka kaq shumë emocione, ulje-ngritje dhe nuk është e lehtë ta përballosh. Djemtë janë shumë të dëshpëruar, është e vështirë për ta, nuk mund ta heqim qafe. E humbëm ndeshjen. Kjo është e vetmja gjë që ka vërtet rëndësi, jemi jashtë Kupës së Botës. U përballëm me Portugalinë, një kundërshtar të vështirë. Humbëm me guxim”.
Pas kësaj humbjeje, Kroacia eliminohet nga Kupa e Botës, ndërsa Portugalia sfidon Spanjën për një vend në çerekfinale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
