Vatra aktive në Mirditë, Lezhë, Pukë, Dibër e Kukës

Ndonëse pjesa më e madhe e zjarreve janë shuar, aktive vijojnë të jenë disa vatra në veri të vendit. Problematike paraqitet situata në fshatin Thirrë të Mirditës ku zjarri ka zgjeruar perimetrin.

Gjatë pasdite zjarret janë përkeqësuar Forcat operacionale po punojnë për izolimin e vatrës, ndonëse janë duke u përballur me vështirësi për shkak të tymit të krijuar ne rreth 200 hektarë sipërfaqe e djegur.

Aktive është edhe vatra e zjarrit në Patalej të Lezhës. Për shkak të terrenit të thepisur malor puna e forcave zjarrfikëse dhe të shërbimit pyjor është vështirësuar, ku prej ditësh po punohet për vënien nën kontroll të flakëve, që kanë djegur 30 hektarë shkurre e pemë.

Edhe në Malin e Tërbunit në Pukë, po punohet nga toka e ajri për shuarjen e vatrës së zjarrit. Flaket janë izoluar në masën 70%, pas punës së forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri të helikopterit holandez.

Aspak e mirë paraqitet situata në fshatin Flet, të Fushë Arrëzit. Zjarri favorizohet nga erërat e forta, por autoritetet thonë se do ta mbajnë në monitorim për të mos kaluar ne drejtim të banesave.

Kritike është gjendja edhe në fshatin Kacni, në Dibër, ku për shkak të terrenit të vështirë zjarri është shtuar. Sakaq po punohet për t’i mbajtur flakët larg banesave. Vatra zjarri ka gjithashtu midis fshatrave Kacni dhe Qafë Murrë të Dibrës.

Drejt përmirësimit është situata në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive në Kukës, ku ka vijuar puna për shuarjen e vatrave të zjarrit. Në zonë po operon edhe një helikopter dhe nuk paraqitet rrezik për banesat apo forcat në terren.

Tv Klan