Mbushen vendet e terapisë intensive në spitale

Greqia po përjeton ditët më të errëta të më shumë se një viti pandemi të koronavirusit. Mediat vendase shkruajnë së fundmi, se të sëmurët në gjendje të rëndë me COVID-19 kanë zënë të 18 shtretërit e terapisë intensive në spitalin e qytetit.

Gjendja është alarmante, teksa autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmën edhe të spitaleve private, atyre ushtarakë dhe klinikave të ndryshme për krijimin e hapësirave shtesë për kurimin e kësaj kategorie të sëmurësh. Në ndihmë janë thirrur edhe mjekë të këtyre institucioneve shëndetësore.

Ritmet e infektimeve ditore në Selanik janë të larta edhe pse qeveria nuk e përfshiu këtë qytet në listën e zonave që përfitojnë nga lehtësimi i masave. E pandryshuar situata është edhe në Athinë ku të 700 shtretërit e terapisë intensive në spitalin shtetëror janë ezauruar prej që në Shkurt.

Pacientët në gjendje të rëndë kurohen në pavionet shtesë të krijuara në spitalet private. Edhe pse vendosi lehtësimin e masave në fillim të këtij muaji me hapjen e dyqaneve, kryeministri Mitsotakis nuk përjashton mundësinë e rivendosjes së bllokadës në rajonin e Atikës, teksa pashkët ortodokse janë dy javë larg.

Infektimet ditore në shkallë kombëtare janë në nivelet më të larta të gjithë periudhës së pandemisë. Këtë muaj rekordet arritën gati 4300 raste ditore. Vdekjet ditore janë mesatarisht në kuotën e 80 rasteve.

Tv Klan