Vijon të jetë aktiv zjarri në Tënën e Mirditës. Për shuarjen e zjarrit janë të angazhuar 30 efektivë të FA, mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe Bashkisë Mirditë, shërbimin pyjor dhe strukturat vendore. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Ndërsa në Shtuf, vatra mbetet aktive dhe ndërhyrja vijon aty ku e mundëson terreni, pasi pjesët e thepisura vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.

Për shkak të rrezikut, në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon operacioni i përforcuar me 190 forca në terren: 32 efektivë MZSH me 7 mjete zjarrfikëse, 13 punonjës të shërbimit pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA. Në mbështetje janë një ekskavator, një mjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së.

Në Dukat të Vlorës, vatra vijon të jetë aktive, por me intensitet të ulët. Nuk rrezikohen banesa.

Në Malin e Dajtit, Tiranë, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht, ndërsa vijon ndërhyrja në vatrat e mbetura.

Në Bërshi, Klos, pas vënies nën kontroll, gjatë natës janë riaktivizuar disa vatra për shkak të erës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Tv Klan

/tvklan.al