Më shumë se 220 mijë persona janë evakuuar në Francë dhe në Spanjë, për shkak të zjarreve që kanë djegur mijëra hektarë tokë.
Thuajse 200 mijë njerëz janë evakuuar në Francën jugperëndimore, në rajonet Gironde dhe Landes. Katër qytete pranë Bordeaux u evakuuan si masë paraprake.
Zjarri në Gironde ka djegur më shumë se 19,000 hektarë pyll dhe ka shkatërruar rreth 80 shtëpi.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka mobilizuar ushtrinë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve. Rreth 500 ushtarë shtesë do të dërgohen për të “mbështetur zjarrfikësit” që luftojnë me flakët në Francën jugperëndimore, tha kryeministri Sébastien Lecornu pas një takimi krize me ministrat e tij kryesorë.
Ndërkohë, një zjarr pranë Madridit është përtej kapacitetit të zjarrfikësve për ta kontrolluar, pasi tri vatra në perëndim të kryeqytetit u bashkuan në një të vetme.
Qeveria e Spanjës ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare. 25,000 njerëzve iu është kërkuar të evakuohen dhe pothuajse 40,000 të tjerë janë udhëzuar të qëndrojnë brenda.
Të paktën 6,000 hektarë tokë janë djegur në rajonin e Madridit, ndërkohë që flakët e Ávilës kanë përfshirë pothuajse 9,000 hektarë, sipas zyrtarëve. Tetë komuna janë evakuuar.
Bashkimi Evropian ka thënë se po dërgon katër aeroplanë të specializuar për hedhjen e ujit në Spanjë dhe tre në Francë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve atje, pasi të dy vendet kërkuan ndihmë nga Unioni.
Ndërkohë, zjarret masive detyruan NASA-n të evakuojë një nga tre objektet e saj globale të komunikimit në Spanjë, duke ndikuar në aftësinë e agjencisë për të komunikuar me sondat hapësinore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
