2 viktima në Kalabri, shpallet gjendja e emergjencës në Siçili

Situatë kritike po përjeton e gjithë Italia, këto orë nga qindra zjarre në rajonet qendrore dhe jugore. Një 53-vjeçare dhe nipi i saj 34-vjeç humbën jetën në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve në qytezën e San Lorenos në Kalabri.

Gjendja e emergjencës për 6 muajt e ardhshëm u shpall në Siçili. Krerët e rajonit thanë se me dhjetëra vatra zjarri po përhapen me shpejtësi, të ndihmuara edhe nga temperatura mbi 40 gradë celsius dhe moti i thatë, duke kapërcyer kapacitetet e ekipeve lokale të zjarrfikësve.

Zgjatja për 6 muaj e gjendjes së emergjencës, përveç verës së tejzgjatur që parashikohet, u përcaktua për të menaxhuar më mirë edhe pasojat e flakëve, që kanë shkrumbuar pasuritë natyrore pyjore, qindra banesa e ndërtesa, shumë prej të cilave edhe me vlera historike.

Vatra zjarri aktive dhe të mëdha ka edhe në Sardenjë, Kalabri, Abruco e Emilia Romanja. Shkencëtarët thonë se situata është më e rënda e dekadave të fundit, pasi po vihet re fenomeni i përparimit të shpejtë të flakëve që po lëvizin me 3 kilometra në orë, një ritëm shumë i lartë. Ata thonë se e gjitha kjo është pasojë e ngrohjes globale.

Tv Klan